Kryetari i partisë së Merkelit kërkon izolim më të rreptë për 2-3 javë

e postuar më at 09:42
61 0

Kryetari i Partisë Kristian-demokrate të kancelares gjermane, Angela Merkel, Armin Laschet, tha të martën se vendi duhet të marrë masa të më rrepta të izolimit për dy deri në tri javë për ta përmbushur një boshllëk derisa të vaksinohet një pjesë më e madhe e popullsisë.

Sipas politikanit që ka gjasë për t’u zgjedhur kancelar i ardhshëm i Gjermanisë, nevojitet edhe një përpjekje tjetër për ta ulur shkallën e infeksioneve nën 100 për 100 mijë banorë për ta bërë të mundur testimin e detyrueshëm dhe përcjelljen e kontakteve në mënyrë digjitale.

“Atëherë mund të hyjmë në një periudhë të re, në të cilën mund të rihapemi me kujdes”, tha Laschet, i cili tash për tash shërben si kryeministër rajonal i republikës më të populluar në Gjermani, Nordrhein-Westfalen, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Ai nuk saktësoi se cilat masa kufizuese duhet të merren gjatë periudhës prej tri javësh. Të hënën, ai bëri thirrje për më pak kontakte private, masë që do të kërkonte orë policore gjatë natës, dhe që më shumë njerëz të punojnë nga shtëpia.

Pavarësisht masave mjaft të rrepta që mori disa muaj më parë e që ende janë në fuqi, Gjermania është përballur me rritje të numrit të rasteve me Covid-19, ndërsa vendi ka mbetur prapa Britanisë e Shteteve të Bashkuara sa i përket fushatës së vaksinimit.

Të martën, instituti për sëmundje ngjitëse, “Robert Koch”, raportoi për 6.885 raste të reja për 24 orë. Mesatarja për 100 mijë banorë ra nga 128 në 123, por ky institut paralajmëroi se shifra e rasteve mund të ketë qenë më e ulët për shkak të numrit më të vogël të testimeve gjatë Pashkëve.

nga kategoria