Smart News

Komuniteti Shqiptar-Australian i tronditur nga diskriminimi sistematik ndaj shqiptarëve në RMV

Komuniteti Shqiptar-Australian shpreh shqetësimin e tij të thellë lidhur me situatën alarmante të krijuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga autoritetet aktuale shtetërore. Në një reagim zyrtar, përfaqësuesit e komunitetit theksojnë se janë të tronditur nga shkalla e diskriminimit institucional ndaj qytetarëve shqiptarë, që sipas tyre po përjashtohen në mënyrë flagrante nga përfaqësimi në institucionet qendrore të shtetit, transmeton Flaka

Sipas informacioneve të konfirmuara, në disa ministri dhe departamente qeveritare nuk ka asnjë të punësuar shqiptar – një praktikë e papranueshme dhe krejtësisht në kundërshtim me frymën dhe shkronjën e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo marrëveshje, e arritur pas konfliktit të vitit 2001, parashikon përfaqësim të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës publike.

“Ky diskriminim i hapur dhe sistematik përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut, si dhe një kthim pas në përpjekjet për bashkëjetesë dhe stabilitet ndëretnik në vend,” thuhet në deklaratën e komunitetit.

Komuniteti Shqiptar-Australian bën thirrje për reagim urgjent nga faktori ndërkombëtar, përfshirë institucionet e Bashkimit Evropian dhe SHBA, si dhe kërkon nga autoritetet në Shkup të ndalin menjëherë praktikat përjashtuese dhe të rikthejnë përfaqësimin e barabartë të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

“Ne jemi të shqetësuar jo vetëm si diasporë, por si pjesë e pandashme e kombit shqiptar që nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj padrejtësive që po i bëhen vëllezërve tanë në Maqedoninë e Veriut,” përfundon reagimi. Flaka

Exit mobile version