Komunat shndërrohen në raste sociale

e postuar më at 20:32
104 0

Hulumtimi i QAE tregon se vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2020, në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2019, të ardhurat e komunave janë ulur për afër 25 milionë euro. Në raport me shumë shtete tjera, komunat në Maqedoninë e Veriut, thuhet në hulumtim, janë shndërruar në raste sociale!

Ndikimi negativ i pandemisë nuk ka anashkaluar as buxhetin dhe financat e komunave në Maqedoninë e Veriut. Efekti më i madh i padëshiruar për arkat komunale ka qenë në uljen e të ardhurave vetanake që varen nga aktiviteti ekonomik. Hulumtimi i Qendrës për Analiza Ekonomike tregon se vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2020, në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2019, janë ulur të ardhurat për afër 25 milionë euro. Ulja e të ardhurave vjen si rrjedhojë e uljes së pagesës të tatimeve të pronës, tatimeve nga shërbimet specifike dhe tatimet nga kryerja e veprimtarisë. Pritjet janë që tremujori i fundit të përkeqësojë edhe më tej trendin e uljes së të ardhurat vetanake të komunave, për shkak se ato më shumti grumbullohen në tre muajt e fundit të vitit. Analiza më tej ka theksuar edhe një herë varësinë e fuqishme të komunave nga transferi i mjeteve nga pushteti qendror, që marrin pjesë me më shumë se gjysmën e shumës në financimin e komunave. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat, sipas të cilave, totali i transferim nga pushteti qendror në totalin e të ardhurave të komunave në vitin 2019 ka qenë 60 për qind, në vitin 2018 ka qenë 64 për qind dhe në vitin 2017 ka qenë 62 për qind. Andaj edhe imponohet nevoja për financime shtesë të njësive të vetëqeverisjes lokale për të tejkaluar krizën financiare të shkaktuar nga pandemia.

DECENTRALIZIM I MANGËT I PUSHTETIT

Nga Qendra për Analiza Ekonomike sugjerojnë të hapet edhe çështja e suksesit të decentralizimit në Maqedoninë e Veriut dhe atë përmes analizës për të gjitha shtyllat siç janë ndarja e kompetencave, e të ardhurave, shpenzimeve, transfereve dhe hyrjes në borxh. Kryetar i kësaj organizate, Marjan Nikollov, thotë qëllimi i decentralizimit në parim është të piketohen kërkesat e qytetarëve, apo të adresohen një pjesë e prioriteteve që duhet të kënaqin nevojat e tyre. “Nga ana tjetër, kemi rastin kur komunave ju mungojnë financat dhe varen nga pushteti qendror që më tej përcakton prioritetet që mund të jenë të ndryshëm nga ato të qytetarëve në rrafsh lokal, për shkak se nga njëra anë mund të preferohet ndërtimi i ujësjellësit dhe kanalizimit, ndërsa nga ana tjetër mund të preferohet ndërtimi i një rruge lokale”, thotë Nikollov, ndërsa shton se në raport me shumë shtete tjera, komunat tek ne janë raste sociale, mirëpo shton se nevojitet që një vëmendje më e madhe nevojitet t’i kushtohet edhe jostabilitetit financiar nëpër komuna, punësimit pa kontroll, investimeve kapitale që nuk realizohen si duhet…

Një problem tjetër që parashtron Nikollov, është edhe fakti se në kohën kur shteti po e përmirëson transparencën fiskale dhe po tregon borxhet e pashlyera të komunave dhe ndërmarrjeve komunale publike, të njëjtat po hyjnë në gërryerje shtesë të disiplinës financiare të komunave dhe po ju blejnë edhe borxhet. Apo me fjalë të tjera kemi rritja të transparencës fiskale, por edhe ulje të disiplinës financiare dhe llogaridhënies, si dhe mungesë e përgjegjësisë së kryetarëve të komunave. Në ndërkohë, përforcimi i stabilitetit financiar dhe pavarësisë së komunave, qasja e të gjithë banorëve ndaj shërbimeve më të mira publike, përmirësimi i transparencës dhe llogaridhënies në nivel lokal, janë inkorporuar në Programin e ri qeveritar për vetëqeverisje lokale dhe zhvillim të barabartë rajonal.

ZGJIDHJE SISTEMORE PËR BORXHET

“Qëllimi i decentralizimit është që vetëqeverisjes lokale t’i ofrojmë më shumë pushtet. Njëherësh, kontrolli i kryetarëve të komunave duhet të bëhet me decentralizimin e pushtetit lokal, apo dhënies më shumë ingerenca Këshillit komunal dhe këshillave vendore. Pra, kryetari i Komunës të mos jetë një sulltan lokal, por të gjitha ato funksione që i ka, ti shpërndajë me organet e tjera, me qëllim që të jetë më transparent dhe më i përgjegjshëm”, thotë ministri i Pushtetit Lokal, Goran Milevski. Nga Ministria e Pushtetit lokal kanë paralajmëruar se problemi me borxhet e komunave do të zgjidhet në mënyrë sistemore dhe me përkufizime ligjore që komunat të mos mund të hyjnë në borxhe të reja. Ku përskaj përkufizimit të vendosur të buxheteve komunale, me 50 për qind do të kufizohen edhe mundësitë për borxhe të reja. Do të kufizohen edhe harxhimet jo thelbësore, punësimet në ndërmarrjet publike, do të rriten mjetet për investimet kapitale nga TVSH, tatimi personal dhe i pronës.

Ndryshe, qeveria në fund të vitit të kaluar ndau 35 milionë euro për 99 projekte në 75 komuna në vend si mbështetje financiare në kohë pandemie. Qeveria në fund të muajit dhjetor e miratoi propozim-listën e projekteve të komunave që do të financohen me mjetet financiare euro si obligim i TAV-it për ndërtimin e aeroportit për transportin e mallrave në Shtip, si obligim që u ndërmor gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së koncesionit prej vitit 2008. Paraprakisht, analizat kanë treguar se ndërtimi i një aeroporti të tillë nuk është i arsyeshëm në aspektin ekonomik. Bëhet fjalë për 99 projekte në 75 komuna që janë miratuar për ndërtimin dhe rikonstruimin e rrugëve lokale, furnizimit me ujë, rrjetit të kanalizimit, rikonstruimit dhe ndërtimin e çerdheve, shkollave dhe objekteve sportive, rikonstruimin dhe ndërtimin e enteve shëndetësore, si dhe projekteve tjera që janë propozuar nga vetëqeverisjet lokale, ndërsa janë pranuar nga ekzekutivi. (koha.mk)

nga kategoria