Komuna e Gostivarit me realizim të dobët të tatimit në pronë

e postuar më at 09/03/2021
138 0

Sipas hulumtimit të Qendrës për komunikime qytetare, Komuna e Gostivarit si një nga komunat më të mëdha në vend dhe e dyta më e madhe në Rajonin e Pollogut ka treguar realizim shumë të dobët të tatimit në pronë, me mesatare prej 39%, përqindje kjo që është shumë më e ulët nga mesatarja prej 57% e arkëtimit të realizuar nga komunat e Rajonit të Pollogut, shkruan Smart News TV.

Sa i përket përpjestimit ndërmjet tetë rajoneve të vendit, poashtu ekzistojnë dallime në përqindjen e arkëtimit të tatimit në pronë. Mesatare më të lartë ka te komunat e Rajonit të Vardarit me 96 %, me përqindje të mirë qëndron edhe Rajoni Lindor me 93 %. Arkëtim më të ulët prej vetëm 57 % ka në Rajonin e Pollogut, pas tij qëndron rajoni më i madh, ai i Shkupit me mesatare prej 74 %.

Dy komunat më të mëdha në Rajonin e Pollogut qëndrojnë në pjesën e poshtme të listës sipas përqindjes së realizimit të tatimit në pronë.

Me arkëtim më të ulët të tatimit për pronë vërehet Komuna e Gostivarit me 40% për vitin 2017, 39% për vitin 2018 dhe 2019, me mesatare prej 39% të llogaritur në bazë të vlerave për tre vitet e fundit..

Përmbushja e pasuksesshme e Komunës së Gostivarit në realizimin e ngritjes në arkëtim më të lartë të këtij tatimi, i cili paraqet një të ardhur burimore për buxhetin e secilës komunë, mund të konsiderohet dështim institucional i kësaj komune.

Krahas porosive dhe thirrjeve të kryetarit të kësaj komune, Arben Taravari për përgjegjësi më të madhe nga vetë qytetarët – posedues pronash, që me kryerjen e këtij detyrimi ligjor financiar qytetarët të krijojnë buxhet më të fuqishëm dhe të mundësojnë realizim të kërkesave të tyre për infrastrukturën e komunës, rezultati prej 39% mund të merret si një përqindje e dobët dhe pasqyron ngecjen e komunës së Gostivarit.

Sipas të dhënave të QKQ për vitet 2017, 2018 dhe 2019, qytetarët dhe ndërmarrjet ju paguajnë mestare prej 21 milionë euro komunave të tyre për pronën që posedojnë në rajonin përkatës. Prej tyre, 10,2 milionë euro mbledhin komunat në përbërje të qytetit të Shkupit. Ky tatim përllogaritet si 0,1 përqind i vlerës së pronës, gjë që tregon se parcelat dhe ndërtesat në kuadër të komunave të Shkupit vlejnë sa pjesa e mbetur e shtetit bashkë.

Si rast i veçantë është komuna e Haraçinës me arkëtim të këtij tatimi prej 0 përqind, për shkak se kjo komunë as arkëton, as dorëzon vendime, as ka repart të tatimeve. Në raportin e QKQ thuhet se kjo komunë nuk ka bazë të të dhënave për tatimpaguesit, gjegjësisht nuk kanë informacion për atë se kush dhe sa pronë posedon në territorin e komunës së Haraçinës dhe vlerën e tyre. Smart News TV

nga kategoria