Smart News

Kjo qeveri me këtë format dhe pa badenter në Kuvend, nuk mund të zbaton regjistrim të popullsisë!

Qeveria aktuale e cila nuk posedon as badenter në Kuvend, nuk ka kredibilitet etnik dhe demokratik për të zbatuar regjistrim të popullsisë, ashtu siç paralajmëroi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, i cili deklaroi se Maqedonia është teknikisht e gatshme për të kryer regjistrim digjital të popullsisë në vitin 2026, shkruan Flaka.

Në një intervistë për televizionin Sitel, Andonovski theksoi se procesi është tashmë pjesë e programit të Qeverisë, ndërsa aktivitetet përgatitore janë në zhvillim e sipër.

“Qëllimi është të rikthehet besimi i qytetarëve në sistem. Nëse i përgatisim të gjitha kushtet, regjistrimi digjital mund të mbahet në vitin 2026,” – tha ministri.

Sipas tij, një grup pune ndërinstitucional është formuar që nga prilli i këtij viti për të përcaktuar parakushtet teknike dhe ligjore që duhen plotësuar për realizimin e këtij procesi. Pika kyçe do të jetë pastrimi dhe harmonizimi i bazave të të dhënave nga institucionet shtetërore.

“Saktësia e të dhënave është themel i çdo regjistrimi. Vetëm me pastrimin e bazave ekzistuese mund të kemi një pasqyrë reale të popullsisë,” – shtoi Andonovski.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur regjistrimi i vitit 2021 është vënë nën kritika të forta publike dhe politike, veçanërisht pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shpalli jokushtetuese ndarjen e popullsisë në “rezidentë” dhe “jo-rezidentë”.

Rregjistrimi digjital i popullsisë në vitin 2026, në vend të datës së rregullt në vitin 2031, do të ishte një rrezik i madh për shtrembimin e numrit real të popullatës, duke parë prirjen e partisë maqedonase në pushtet ndaj shqiptarëve.

Në një komunikatë për mediat, BDI ka reaguar në lidhje me siç thonë, fushtën e koordinuar për diskreditimin e procesit të regjistrimit të popullsisë, transmeton TV21. Nga BDI theksojnë se regjistrimi i popullsisë është proces ligjor dhe transparent, duke shtuar se është monitoruar nga faktori vendor dhe ndërkombëtar.

“Bashkimi Demokratik për Integrim ndjek me shqetësim të thellë fushatën e koordinuar për diskreditimin e procesit të fundit të regjistrimit të popullsisë, një proces ligjor, transparent dhe tërësisht i monitoruar nga faktori vendor dhe ndërkombëtar.

Kjo fushatë nuk është e rastësishme. Ajo është pjesë e një skenari më të gjerë për të rishkruar të gjitha arritjet e dekadës së fundit, për të bërë një regjistrim të ri sipas agjendave të reja politike, dhe për të rikthyer pabarazinë sistematike. E gjithë kjo është përpjekje e rrezikshme për të minuar themelet e Marrëveshjes së Ohrit, për të kontestuar barazinë e fituar me shumë mund dhe për të prishur marrëdhëniet ndëretnike në vend.

BDI dënon fuqishëm këtë përpjekje dhe njofton se çdo aktor politik, institucional apo propagandistik që synon të minojë rendin kushtetues, Marrëveshjen e Paqes, barazinë etnike dhe bashkëjetesën, do të mbajë përgjegjësi politike, ligjore dhe morale.

Nuk do të lejojmë që dekada përpjekjesh dhe sakrificash të nëpërkëmben për interesa ditore politike. Paqe, barazi dhe bashkëjetesë janë vija të kuqe për të cilat BDI do të qëndrojë gjithmonë në ballë të mbrojtjes”.

Exit mobile version