Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave, Garip Kaba për TV21 foli edhe për importin e veturave të përdorura në Maqedoninë e Veriut,. Kaba thotë se pavarësisht zërave të ndryshëm, deri tani nuk ka nismë për ndryshimin e çmimeve për tarifat e importit.
“Nuk ka diçka të tillë. Nuk ka iniciativë që do të jepte mundësi, do të jepte para opinionit informacion se do të ketë ndryshime të tarifave doganore për makinat e përdorura. Njëherë për njëherë, nuk ka diçka të tillë. Ne jemi institucion që funksionojmë në kuadër të Ministrisë së Financave, edhe iniciativat e ndryshme sigurisht që burojnë për këtë sistem, burojnë nga Ministria, por edhe nga Qeveria. Ne jemi aty për të dhënë propozime, dhe mundësisht ato do të kualifikohen, do të analizohen dhe në kuadër të Qeverisë, ndoshta, ndoshta, nuk po them tani, por në të ardhmen”, tha mes tjerash Kaba.
Kaba: shqiptarët në Drejtorinë e Doganave janë të përfaqësuar me 24,4%
Kaba tha se, shqiptarët në këtë drejtori janë të përfaqësuar me 24,4 për qind ose me 1186 të punësuar, sa është numri i përgjithshëm i shqiptarëve në këtë drejtori. Kaba tha se, kjo përqindje është rritur në dy vitet e fundit.
“Po nga numri i përgjithshëm, 1186 të punësuar. Në Drejtorinë e Doganave, shqiptarët janë të përfaqësuar me 24,4 për qind. Kjo përqindje është rritur sidomos në dy vitet e fundit”, shtoi më tej Kaba.