Smart News

Kaba: Ndalesa e përbashkët në Bllacë bëhet realitet

 

Në pikën kufitare Bllacë – Hani i Elezit, që lidh Maqedoninë e Veriut me Republikën e Kosovës, është vendosur koncepti i ndalesës së përbashkët, një hap ky drejt rritjes së bashkëpunimit dhe lehtësimit të qarkullimit ndërkufitar.

Bllaca është një nga pikat kufitare më të frekuentuara në vend, ku çdo vit kalojnë mbi 4 milionë pasagjerë. Me këtë mënyrë të re menaxhimi, pritet të rritet efikasiteti dhe të përforcohen lidhjet ndërshtetërore.

Zëvendësdrejtori i Doganave të Maqedonisë së Veriut, Garip Kaba, përmes një postimi në Facebook ka përgëzuar të gjithë aktorët ndërqeveritarë që kontribuan në realizimin e këtij projekti, duke veçuar Drejtorinë e Doganave për angazhimin efektiv. “Vendoset koncepti i një ndalese në pikën kufitare Bllacë – Hani Elezit me Republikën e Kosovës. Bllaca është një nga pikat kufitare më të frekuentuara, ku kalojnë mbi 4 milionë pasagjerë në vit, dhe presim që kjo mënyrë menaxhimi të kontribuojë në lidhjen dhe bashkëpunimin më të madh mes dy shteteve. Përgëzoj gjithë faktorët ndërqeveritar, posaçërisht Drejtorinë e Doganave të RMV për kontributin efektiv që të realizohet ky projekt”, ka shkruar ai.

Ky zhvillim pritet të ketë ndikim të ndjeshëm në përmirësimin e shërbimeve dhe në shkurtimin e pritjeve për qytetarët dhe bizneset që përdorin këtë pikë kufitare.

Exit mobile version