Elfete Ismaili në ceremoninë e pranim-dorëzimit të detyrës së Komandantit të KOD-it: Gjeneral Lulzim Nuredini bëhet gjenerali i tretë shqiptar në Armatën e RMV-së
Zv. ministrja e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Elfete Ismaili, mori pjesë dje në ceremoninë solemne të pranim-dorëzimit të detyrës së Komandantit të Komandës për Trajnim dhe Doktrina (KOD), e mbajtur në kazermën “Alekso Demnievski Bauman” në Veles.
Gjatë kësaj ceremonie, Lulzim Nuredini mori detyrën si Komandant i KOD-it dhe u avancua në gradën Gjeneral Brigade, duke u bërë kështu gjenerali i tretë shqiptar në Armatën e RMV-së. Ky është një moment me rëndësi të veçantë, jo vetëm për komunitetin shqiptar në vend, por edhe për zhvillimin dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes.
Gjeneral Nuredini ka një karrierë të gjatë dhe të spikatur në radhët e Armatës, duke kontribuar në modernizimin e forcave të armatosura dhe në ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit. Me këtë avancim, ai do të ketë një rol kyç në forcimin e strukturave të mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe në përmirësimin e bashkëpunimit ushtarak me partnerët ndërkombëtarë.
Zv. ministrja Ismaili e cilësoi këtë ngjarje si historike për Armatën e RMV-së dhe për avancimin e shqiptarëve në pozita kyçe brenda institucioneve shtetërore.
“Është një nder të jem pjesë e këtij momenti të rëndësishëm dhe të mbështes angazhimin e Gjeneral Nuredinit për një Armatë më të fuqishme dhe më të integruar në nivel ndërkombëtar. Avancimi i tij është një tregues i qartë i përkushtimit dhe profesionalizmit të shqiptarëve në Armatën e RMV-së,” deklaroi Ismaili.