Smart News

Ish-truproja i Ali Ahmetit: “Kur gjuha mbrohej me gjak, ku ishin këta? Sot profiterët bëjnë patriotizëm në tenda”

Faredin Bushi, i njohur si Luki, ish-truproja i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, ka reaguar ashpër ndaj protestave të organizuara nga partia për mbrojtjen e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Në një status publik, ai kritikoi ashpër liderin e tij të dikurshëm dhe drejtuesit e BDI-së, duke i akuzuar për manipulim të ndjenjave patriotike të shqiptarëve.

“Kur gjuha dhe identiteti kombëtar rrezikoheshin, djemtë më të mirë e mbrojtën me gjak. Ku ishin këta kur duhej sakrificë? Sot profiterët e mbledhin patriotizmin nëpër tenda duke u shitur sikur kanë diçka për të mbrojtur,” shkruan Bushi, duke aluduar për hipokrizinë e drejtuesve të BDI-së.

Deklarata e tij ka ngjallur jehonë dhe mbështetje te një pjesë e madhe e shqiptarëve, të cilët ndajnë ndjenjën e zhgënjimit ndaj partisë që dikur shihej si mbrojtëse e interesave kombëtare. Shumë prej tyre mendojnë se protestat aktuale janë një përpjekje e dëshpëruar për të ruajtur imazhin e një partie që ka humbur kontaktin me popullin.

Kritika e Bushit vjen në një moment kur edhe pjesëmarrja e qytetarëve në protestat e organizuara nga BDI është minimale, duke treguar mosbesim ndaj narrativës së promovuar nga udhëheqësit e saj. Fjalët e tij risjellin në vëmendje sakrificën e djemve që dikur luftuan për të drejtat kombëtare, ndërsa sot, sipas tij, ato janë shndërruar në mjet përfitimi për një grup të vogël profiterësh.

Exit mobile version