Ish-diplomati serb: Me zgjedhjen e Osmanit presidente nis edhe presioni ndaj Serbisë

e postuar më at 13:13
109 0

“Me konstituimin e institucioneve të Kosovës dhe zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente e Kosovës u krijuan kushtet për vazhdimin e dialogut, për të cilin ka interes të madh në Perëndim”, ka thënë ish-diplomati serb Zoran Millivojeviq për Kosova Online.

”Zgjedhja e Vjosa Osmanit si presidente pritej. Ishte e qartë pas zgjedhjeve dhe pas fitores së Vetëvendosjes se kjo qeveri dhe ky koncept kishin mbështetje në qendrat perëndimore të pushtetit dhe që të dy Uashingtoni dhe Brukseli e mirëpritën këtë qeveri. Ata kishin interes edhe para zgjedhjes së presidentit, që të rrumbullaksohet Qeveria e Kosovës dhe të krijohen kushtet për vazhdimin e dialogut dhe për funksionimin normal”, ka thënë Millivojeviq.

Ai pretendon se ka një interes të madh në Perëndim që të vazhdohet dialogu sepse çështja e zgjidhjes së “çështjes së Kosovës”, në mozaikun e interesave strategjikë të Perëndimit në këtë fushë, është pjesë e konkurrencës në skenën globale me Rusinë dhe Kinën.

“Me interesin strategjik që i gjithë rajoni të bie nën zonën e ndikimit të Perëndimit dhe që çështja më e rëndësishme në rajon të zgjidhet duke zgjidhur “çështjen e Kosovës”. Kjo do të thotë se Kosova do të veprojë nga platforma e promovuar nga Kurti. Këtë e pamë dje nga deklarata e Osmanit se kjo është platformë e përbashkët, që të bisedohet në baza të barabarta. Në fakt, nuk ka asnjë ndryshim në qëndrim dhe se qasja e Kurtit dhe qasja e strukturës qeverisëse është që të bisedohet, mbi të gjitha, mbi njohjen dhe që dialogu të vazhdohet nga ai pozicion”, ka pretenduar Millivojeviq.

Sipas tij, një qasje e tillë “do të jetë problem, sepse është e papranueshme” për palën serbe.

“Serbia në asnjë mënyrë nuk do të bëjë asnjë lloj koncesioni, i cili do të shkonte në atë drejtim që negociatat të nënkuptojnë njohjen, e “jo për çështje të tjera që përbëjnë normalizimin”. Faktori Perëndimor tani do të bëjë presion mbi Serbinë për të vazhduar negociatat. Unë mendoj se do të bëhet presion ndaj Prishtinës që të zbatojë marrëveshjen e Brukselit, që të formojë ASK. Ky është kusht për të vazhduar dialogun sa i përket Serbisë”, ka thënë ai.

Siç pretendon Millojeviq, Qeveria e Kurtit do të ketë mbështetje edhe për atë se tani në Perëndim konsiderojnë se është eliminuar ajo që ishte problem me autoritetet e mëparshme, dhe kjo është hija e UÇK-së. “Gjëja më e rëndësishme për Serbinë është nëse Perëndimi do të mbështesë platformën dhe strukturat qeverisëse të Kurtit, për të biseduar nga pozicioni u njohjes, dhe jo nga pozicioni i “kërkimit të zgjidhjeve për disa çështje që nënkuptojnë normalizimin”. Kështu do të jetë vështirë i mundur vazhdimi i dialogut për çështje thelbësore, sepse nga ai pozicion është vështirë të presësh që Serbia të pranojë bisedime dhe të presësh që do të kemi ndonjë përparim në dialog që do të përfshinte çështje thelbësore të normalizimit”, ka thënë Millivojeviq.

nga kategoria