Categories: Lajme

Institucioni i Avokatit të Popullit në kolaps, qytetarët pa mbrojtje

Institucioni i Avokatit të Popullit, që duhet të jetë mbrojtësi kryesor i të drejtave të qytetarëve, po hyn në periudhën zgjedhore i dobësuar seriozisht. Në këtë moment, nuk ka të zgjedhur Avokat të Popullit dhe numri i zëvendësve është reduktuar në minimum, çka e bën institucionin pothuajse gjysmak, shkruan PressOnline.al.

Nga 26 gushti, në detyrë mbeten vetëm dy zëvendës – Ylber Rufati nga Kërçova dhe Sonja Trifunovska nga zyra e Shkupit. Zëvendësja nga Manastiri shkon në pension, ndërsa shtatë vende të tjera zëvendësish në zyrat rajonale kanë mbetur bosh. Ish-avokati i popullit, Naser Ziberi, i cili më 12 korrik doli në pension, thotë se nuk e di si institucioni do të funksionojë tani:

“Dy zëvendës kanë mbetur, të tjerëve u ka përfunduar mandati, ndërsa të rinj nuk janë zgjedhur. Ka mungesë të madhe kadrovike dhe nuk ka as kryetar, as zëvendës që të organizojnë punën. Institucioni është përgjysmuar. Për shumë vendime vendos avokati i popullit, pasi ai është organ individual. Kam paralajmëruar se kjo do të ndodhë, ndaj edhe insistova të ndryshohet ligji”, deklaroi Ziberi për Sloboden Peçat, përcjell PressOnline.al.

Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e Avokatit të Popullit dhe e zëvendësve të tij e dobëson institucionin në pjesën më të rëndësishme – reagimin me iniciativë zyrtare, veçanërisht në rastet kur viktimat nuk kanë forcë të luftojnë vetë.

“Me këtë situatë jo vetëm që përgjigjet ndaj qytetarëve do të vonohen, por edhe humbet mundësia që institucioni të reagojë në kohë. Megjithatë, qytetarët duhet të vazhdojnë të parashtrojnë ankesat e tyre, sepse ato janë kujtesa më e fortë që Kuvendi duhet urgjentisht ta rikthejë institucionin në funksion të plotë”, u shpreh Maja Atanasova nga Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj për Sloboden Peçat, përcjell PressOnline.al

Kandidati i VLEN-it nuk arriti deri në seancë plenare

Pas pensionimit të Ziberit, shumica qeverisëse e VLEN arriti ta shtyjë kandidatin e vet, Faton Selami, vetëm deri në Komisionin për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, por jo edhe deri në seancë plenare. Arsyeja është mungesa e të ashtuquajturit “Badenter i madh” – shumica e nevojshme për votim.

Për të zgjedhur Avokatin e Popullit nevojiten votat e deputetëve nga komunitetet jo-shumicë. VLEN dhe VMRO-DPMNE kanë gjithsej 14 deputetë nga këto komunitete, ndërsa u mungojnë edhe gjashtë për të arritur shumicën. Pa mbështetjen e deputetëve të BDI-së ose të një pjese nga opozita shqiptare dhe deputetët e tjerë të pakicave, kjo është pothuajse e pamundur. BDI tashmë ka deklaruar se nuk do ta mbështesë kandidatin e VLEN-it.

Rreziku nga abuzimi në prag të zgjedhjeve

Edhe pse institucioni është i gjymtuar, nga Zyra e Avokatit të Popullit thonë se për zgjedhjet lokale do të funksionojnë njësoj si më parë – me linjë telefonike falas për raportimin e çdo shkeljeje të të drejtës së votës dhe me shërbime kujdestarie në Shkup dhe në zyrat rajonale.

Megjithatë, raporti vjetor i Avokatit të Popullit për vitin 2024 ka konstatuar qartë se Kuvendi nuk ka bërë asgjë për ta forcuar institucionin, as me plotësimin e vendeve vakante, as me ndryshimet ligjore të paralajmëruara. Kështu, në prag të zgjedhjeve, qytetarët mbeten me një institucion të gjymtuar, i cili vështirë se mund ta luajë rolin e tij si mbrojtës i të drejtave të njeriut. (PressOnline.al)

Admin01

Recent Posts

Çair nxjerr në Shesh kontraditat dhe dobësinë e VLEN-it

Nga Liridon Ramadani Mbrëmë në Çair u bë hapja e shtabit zgjedhor, dhe për mua…

3 hours ago

AKI-Tetovë akuzon Kasamin për keqmenaxhim me rrugët 185 dhe 186

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) – Tetovë ka reaguar sot publikisht, duke akuzuar kryetarin në…

3 hours ago

Daku: Ndaj Serbisë do të kemi qasje tjetër

Futbollisti i Kombëtares, Mirlind Daku, menjëherë pas ndeshjes së Letonisë ka nisur të mendojë për…

4 hours ago

Osmani zbulon një të dhënë tronditëse: Më shumë se 4 milionë euro në vit shpenzon Çairi për punësime fiktive të aktivistëve

Bujar Osmani, kandidat për kryetar të komunës së Çairit, sot kritikoi ashpër pushtetin aktual lokal…

5 hours ago

Zgjedhjet 2025/ Deri më 13 shtator dorëzohen listat e kandidatëve

Verifikimi publik në të dhënat e Listës zgjehdore për Zgjedhjet lokale 2025 përfundon nesër në…

6 hours ago

Dronët rusë në Poloni, Macron: E papranueshme, s’do të bëjmë kompromis për sigurinë e aleatëve

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se shkelja e hapësirës ajrore polake nga dronët rusë gjatë…

6 hours ago