Connect with us

Lajme

I drejti mund të zhytet, por nuk mbytet

Published

on

Shkruan Liridon Ramadani

Prej se kam vetëdije politike kam qenë në opozitë. Aktiviteti im kurrë s’ka qenë i lidhur me pushtetin. Shumë herë kemi hyrë në zgjedhje duke e ditur që do të humbim, e prapë s’jemi dorëzu. Shumë herë kam qenë kundër frymës, vetëm për t’i mbrojtur idetë në të cilat kam besuar sinqerisht.

Te shqiptarët ekziston një ndjeshmëri e madhe kur dikujt i bëhet padrejtësi dhe pikërisht kjo u pa në këto zgjedhje. Pa hyrë në detaje e faktorë të tjerë, “Vlen” pati sukses sepse në perceptim u pa si viktimë e një loje të padrejtë.

Por nëse dikujt me të vërtetë iu bë lojë e padrejtë, ai është Arben Taravari.
Iu bë lojë nga ata që ai vetë i ngriti.
Iu bë lojë nga partitë e tjera të “Vlenit”, që i mbajti dhe i solli në pushtet, e më pas u bashkuan për t’ia pamundësuar që të vazhdojë të rrijë aty.

Iu bë lojë nga bashkëpunëtorët që ishin më të zëshmit se “duhet të lëshohet qeveria”, e pastaj e tradhtuan për pozita.
Iu bë lojë nga ata që heshtën, që s’u panë në betejë dhe e lanë vetëm.

Iu bë lojë edhe nga funksionarë partiakë të padijshëm, që me gjithë zellin për poste, s’kishin as njohuri e as aftësi për ta mbrojtur idenë përkundrazi, e dëmtuan.
Dalja nga qeveria ndoshta s’u menaxhua siç duhet, por ajo që pasoi ishte e tepruar, sulme çnjerëzore, goditje nën brez, shpifje që s’kanë vend në politikë.

Arben Taravari, para se të jetë politikan, është njeri.

Ka qenë gjithmonë i hapur për të gjithë pa filtra, pa barriera.
Si mjek, ka qenë në dispozicion të çdo pacienti.

Si kryetar i Gostivarit, në dispozicion të çdo qytetari.

Si kryetar partie, në dispozicion të çdo aktivisti.

Gabime mund të ketë bërë si çdo njeri.
Por një njeri që ka udhëhequr Gostivarin për dy mandate me duar të pastra, një mjek për të cilin kurrë s’është dëgjuar asnjë fjalë e keqe, nuk e ka merituar këtë trajtim.

Fundi?

I drejti mund të zhytet, por nuk mbytet.
Sepse e vërteta del prapë në sipërfaqe dhe aty ku mbytet padrejtësia, triumfon dinjiteti.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *