Kryetari i Degës së Aleancës për Shqiptarët në Kumanovë, Huzerir Mustafi, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si ndahen investimet infrastrukturore në qytet.
Mustafi ka akuzuar pushtetin lokal se po favorizon lagjet me shumicë maqedonase, ndërsa shqiptarët po lihen anash. Mustafi kujtoi rastin e bekatonizimit të hapësirës pas stadiumit të KF Bashkimi, ku sipas tij pati kundërshtime nga kryetarja e Këshillit Komunal, ndërsa sot po promovohen projekte të ngjashme në lagje maqedonase pa asnjë pengesë.
Postimi i plotë i Mustafit:
“Kur unë dhe nënkryetari i ASH-së Gezim Kadriu insistuam dhe vendosëm ta bekatonizonim hapsirën pas stadiumit të KF Bashkimit, kryetarës së këshillit aq shumë ju dhimbsën ato bekatonka sa që para çdo votimi të buxheti e ribalanci e thoshte: “Keni harxhuar shumë bekaton aty, sa që e keni bërë pistë për aeroplana”.
Ndërsa tani po e njejta promovon parking në një lagje që banohet me popullsi maqedonase, po për këtu nuk i dhimbsen bekatonkat e harxhuara.
E për deri sa VLENi vazhdon të FLEN, rikujtoj opinionin e qytetarët shqiptarë të Kumanovës, së këtë periudhë janë bekatonizuar gjithsej 29 rrugë, dhe të gjitha në lagjet e fshatrat me popullsi maqedonase, ndërsa asnjë rrugë në lagjet tona nuk është bekatonizuar.
Tri vite e para të këtij pushteti, tjetër këngë këndohej, gjithçka ndahej në shifrat 30, 40 madje edhe 50% për vendbanimet tona.
Kjo qasje dhe ky nënçmim duhet dhe do të përfundoj sa më shpejtë!”, ka përfunduar Mustafi.