Me ndryshimet kushtetuese mirë do ishte të vinte edhe heqja e 20 përqindëshit nga Kushtetuta. Por, peshën pse nuk është kështu duhet ta mbajë propozuesi, Qeveria, gjegjësisht partitë që janë pjesë e kësaj qeveria. Kështu thotë Arjanit Hoxha, kryetari i subjektit të sapoformuar, Partia Demokratike Evropiane. Në emisionin “Politica” në televizionin Globi, ai tha se nuk kanë kushtëzime për mbështetje të ndryshimeve kushtetuese, aq më pak tani, pasi sipas tij, mosndryshimi i Kushtetutës do të lejonte ndikimin rus në Maqedoni.
“Unë them që është mirë të kalojnë ndryshimet kushtetuese sepse nuk është vetëm çështja e pozicionimit politik brenda në Maqedoninë e Veriut sa është edhe kjo që po ndodh në rajon. E shihni situatën në përgjithësi dhe mos flas për rajonin më të gjerë, pra në Evropë kemi luftë aktive me një agresion rusë në Ukrainë. Sado që të duken utopike këto çështje, janë të ndërlidhura dhe në vete ngërthejnë procese politike. Sa më gjatë zvarritet çështja e ndryshimeve kushtetuese dhe mos hapja e rrugëtimit të Maqedonisë së Veriut në strukturat evropiane, aq më shumë rriten gjasat për një ndikim anti-perendimor në RMV dhe prandaj flas që është shumë e rëndësishme të kalojnë”, deklaroi Arjanit Hoxha, kryetari i PDE.
Ai tha se do t’i bashkangjitej të a.q. “Fronti evropian” nëse i njejti formohet dhe garnton rrugëtimin evropian të vendit pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet te blloku maqedonas.
“Ne duhet të jemi sy çelë dhe shqiptarët të jenë faktori determinues se ku do të shkojë shteti. VMRO-ja, hipotetikisht nëse i fiton zgjedhjet dhe nga ana tjetër ballafaqohet me një front shqiptarë që i ka 25-30 deputetë që e kanë përcaktuar rrugëtimin evropian të vendit, atëherë e ka patjetër nëse dëshironë qeverisje t’i respektojë këto parime. Prandaj flas se kjo është ajo që duhet të ndodh dhe çdo ndasi të formave të tjera, vetëm se do t’i ndihmonë edhe maqedonasit por edhe politikave indirekte ruse që mundohen të mos ketë qetësi në rajon, vetëm e vetëm për t’i arritur interesat e tyre, ashtu si ka qenë gjithmonë në historinë e tyre”, deklaroi Arjanit Hoxha, kryetari i PDE.
I pyetur nëse Rusia ka ndonjë qendër në Maqedoni për ndikimin e saj, ai tha se ndikimi mund të vijë përmes Serbisë e me shtetin fqinjë, sipas Hoxhës, afërsi sot ka VMRO-DPMNE-ja.
“Nuk dua të hy në konsekuenca të cilat mund të kenë ndikim edhe në aspektin e sigurisë sepse nuk kam ashtu informacione dhe qasje, por mendësia e instaluar e tregon atë se Serbia e ka pasur hallkën në disa qarqe për t’u futur brenda për të ndikuar në një farë forme për prishjen e balanceve të orientimit të vendit. Për fat të keq sot ajo që shihet në opozitën maqedonase, ka një ndikim jashtëzakonisht të madh. Tash ndoshta flas hapur mbi atë që nuk e ka folur dikush edhe pse jam i ri në moshë, por i kam ndjekur proceset politike. Deri në vitin 2011-të betej në opinion ka qenë se si të hiqet LSDM-ja nga ndikimet serbe në Maqedoni, dhe sot e keni ju sesi të hiqet në VMRO e cila ka qenë pastër pro bullgare, sot nga ndikime serbe.
Gazetari: Pra, ju thoni se VMRO është qendra, apo?
Unë tregova sinjalet se si janë, për baza nuk mund të them, nuk mund të mbajë përgjegjësi për diçka të tillë, mirëpo për momentin, veprimtaria politike e izolimit të rrugëtimit të Maqedonisë së Veriut i ndikon vetëm Serbisë për pazare rajonale, asgjë më tepër”, deklaroi Arjanit Hoxha, kryetari i PDE.
Megjithatë, Hoxha nuk sheh ndonjë rrezik nëse tani nuk kalojnë ndryshimet kushtetuese nga ndikimet rajonale, pasi thotë, Maqedonia e Veriut sot është vend anëtarë i NATO-s.
Ndryshe, ditë më parë nga Maqedonia e Veriut u dëbuan tre diplomat rusë, të cilët, sipas Agjencisë për kundërzbulim, ata kanë punuar për të ndarë strukturën nacionale maqedonase. Së bashku me diplomatët rusë, u dëbua edhe një prift i Kishës Ortodokse Ruse, i cili ishte pjesë e dioqezës së Sofjes në Bullgarinë fqinje. Dihet se ai ka pasur kontakte dhe ka bashkëpunuar me peshkopë nga sinodi i KOM-it, por nuk ka detaje të tjera pse prift rusë ka ardhur shpesh në Maqedoni dhe çfarë aktivitetesh ka pasur.