Smart News

Gëzim Kadriu, nënkryetar i ASH-së, jep dorëheqje nga pozita e drejtorit të NP “Tregjet”

Gëzim Kadriu, nënkryetar i Aleancës për Shqiptarët dhe deri më sot drejtor i Ndërmarrjes Publike “Tregjet” në Kumanovë, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i tij, pavarësisht se kontrata e tij menaxheriale ishte e vlefshme deri në nëntor të vitit 2027.

Në një deklaratë publike, Kadriu u shpreh krenar për mandatin e tij, të cilin e cilësoi si model të transparencës, llogaridhënies dhe punës pa asnjë rast korrupsioni. Ai bëri të ditur se ka kursyer mbi 5.4 milionë denarë nga beneficionet personale si drejtues, duke i orientuar ato në projekte për qytetarët.

“Kam hyrë në histori si drejtori i parë që jam tërhequr nga të gjitha beneficionet ligjore: reprezentacioni, vetura dhe shoferi, telefoni zyrtar dhe të tjera, për të mbrojtur interesin publik”, tha Kadriu.

Ai kritikoi ashpër zhvillimet e fundit politike në Kumanovë, duke denoncuar prishjen e marrëveshjes së bashkëqeverisjes me kryetarin e Komunës, Maksim Dimitrievski. Sipas Kadriut, pas kalimit të një këshilltareje shqiptare në radhët e partisë së Izet Mexhitit, kryetari Dimitrievski fitoi shumicë të re në këshill dhe nuk kishte më nevojë për Aleancën për Shqiptarët.

“Këshilltarja që kaloi në partinë e Mexhitit nuk parashtroi asnjë kërkesë për shqiptarët, veç kërkesës që të largohet ASH nga qeverisja lokale dhe të ndalen projektet tona për lagjet shqiptare. Kjo u pranua me dëshirë nga Dimitrievski, i cili për tri vite me radhë na thoshte: ‘Më keni lodhur me kërkesat tuaja për shqiptarët’”, theksoi Kadriu.

Ai akuzoi VMRO-në, ZNAM-in dhe pjesë të fshehta të LSDM-së për bashkëpunim kundër interesave të shqiptarëve, ndërsa bëri thirrje për bashkim politik të shqiptarëve në një listë të vetme në Kumanovë për zgjedhjet lokale të tetorit.

“Nëse shqiptarët bashkohen në një listë të përbashkët, minimumi do të fitonin 10 mandate në Këshillin Komunal të Kumanovës – dhe kjo do të ishte një arritje historike! Ua kemi për borxh qytetarëve tanë të jemi bashkë kur është në pyetje interesi kombëtar”, përfundoi Kadriu.

Me këtë dorëheqje, Kadriu sinjalizon një kthesë të fortë në diskursin politik lokal dhe vendos në qendër të debatit nevojën për unitet të faktorit shqiptar në Kumanovë përballë zhvillimeve të reja politike në vend.

Exit mobile version