Gazetari dhe studiuesi nga Gostivari kujton doajenet e arsimit shqip në Gostivar

e postuar më at 09:05
23 0

Shkruan Gazetari dhe veprimtari Nazif Selimi nga Gostivari

“7 MARSI” – Dita e Mësuesit, ka zanafillën e hershme, që të kujton themelet e para të shkollës shqipe, e cila u themelua më 7 mars 1887, në Korçë, nën drejtimin e Pandeli Sotirit.

Kjo datë shënoi një fitore të rëndësishme për arsimin shqip dhe kombin shqiptar. Hapja e shkollës Normale të Elbasanit përgaditi mësues, të cilët ndikuan në mënyrë të dukshme në shtrirjen e arsimit, duke përgaditur një plejadë të tërë mësuesish, të shpërndarë anekënd Shqipërisë, si edhe në Kosovë e Maqedoni.

Shkëndijat e para të arsimit shqip në Maqedoni filluan të japin fryt në dekadën e katërt të shekullit të kaluar, në disa qendra, të cilat u hapën vatrat e mirëfillta për mësimin e shkronjave shqipe.
Kontributi i hapjes së shkollave të para në gjuhën shqipe në Maqedoni është meritë e Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, që dërgoi një numër të madh të mësuesve nga Normalja e Elbasanit. Në Gostivar për hapjen e shkollave të para shqipe u përfshi një numër i madh mësuesish, ndër të cilët kontribut të madh kanë dhënë:Myrteza Peza, Ahmet Pero, Zija Rroshi etj. Ata gjetën një numër të vogël arsimdashës dhe intelektualë edhe në këtë vend, siç ishin: Abdylaqim Dogani, Mustafa Ismaili etj.
Puna e tyre zgjati deri në vitin 1953, kur Titoja nënshkroi marrëveshje me qeverinë e Turqisë, shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. Kjo marrëveshje ishte e lidhur me realizimin e projektit famëkeq të Çubrilloviqit për shpërnguljen e shqiptarëve nga toka arbërore. Këtë fushatë antishqiptare UDB-ja e filloi paraprakisht me prishjen e objekteve fetare, si dhe hapjen e paraleleve turke, duke i mbyllur paralelet shqipe, që nxitën shqiptarët për shpërngulje nga trojet e tyre për në Turqi.

Këtë fushatë fatmirësisht e penguan ata intelektualë dhe arsimdashës, të cilët prioritet e kishin kauzën kombëtare, veçanërisht studentet e asaj kohe të Shkupit dhe Zagrebit. Pikërisht këta studentë, për këtë çështje themeluan Lëvizjen studentore të Shkupit dhe të Zagrebit, për pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi. Në krye të kësaj lëvizjeje në Zagreb ishte Naxhi Purde, ndërsa në Shkup ka qenë Abdurrahim Taravari, student i Shkupit.

Për këtë veprimtari patriotike udhëheqësit e kësaj lëvizjeje u arrestuan dhe u dënuan nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë nga sistemi komunist. Abdurahim Taravari u dënua me 10 vjet burg, Naxhi Purde u dënua me 7 vjet burg, Mevahip Purde me 6 vjet burg, Abdylazis Taravari me 3 vjet burg, Adnan Agai me 7 vjet burg, Sherafedin Agai me 5 vjet burg, Murtezan Bajraktari me 6 vjet burg etj.
Ata së bashku me Abdulaqim Doganin e morën flakadanin nga të parët tanë, e mbajtën fortë në duar dhe na rrëfyen rrugën për të ardhmen e ndritur.

Bekuar qoftë vepra e tyre, duke e ndritur rrugën që kanë trasuar gjeneratat në vijim!
Lavdi të gjithë arsimdashësve për këtë ditë të shënuar!

Gëzuar dita e mësuesit!

A M

nga kategoria