Gazetari Furkan Saliu ka reaguar në rrjete sociale ndaj Dragan Pavloviq – Latas, një prej figurave më të kontestuara të gazetarisë maqedonase, përcjell Flaka
“Prej ofendimeve ndaj komunitetit turk, sharjeve ndaj kolegëve të vet dhe televizionit ku dikur punonte, deri te akuzat për evazion fiskal, nxitje urrejtjeje ndëretnike dhe propagandë kundër Perëndimit – ky është Latas, njeriu për të cilin sot fëmijët duhet të mësojnë vetëm në librat e historisë”, shkruan Saliu.
Ai zbulon se pikërisht veprimtaria e Latasit e kishte shtyrë të ndjekë studimet për gazetari: “Që në moshë të re e kuptova fuqinë shkatërruese të gazetarisë së keqe. Për shkak të lajmeve të tij që nxisnin urrejtje etnike, unë dhe shokët e mi kaluam rininë duke parë pas shpine, nëpër autobusë dhe rrugë.”
Sipas Saliut, pas publikimit të përgjimeve famëkeqe, ku Latas përmendej për manipulime mediatike dhe propagandë të turpshme, rinia humbi besimin në profesionin e gazetarit, ndërsa qytetarët i fusin gazetarët në të njëjtën thes me politikanët.
“Latas sot është i parëndësishëm. Edhe nëse lexon motin dhe thotë se do të ketë diell, 99% e njerëzve do të hapin perdet për ta verifikuar”, ironizon gazetari.
Në fund, Saliu nënvizon se edhe vetë pushtetarët e sotëm e dinë mirë se si ky person u kthye kundër bashkëpartiakëve të tyre në momentet më të vështira. “Kur nuk je më i nevojshëm – as si vrapues për kafe – e di që fundi ka ardhur, ‘shef’,” përfundon reagimin e tij.
Sot, në media u raportua për kërcënime ndaj gazetarit Dragan Pavlloviq – Latas, të bëra nga kryetari i Komunës së Strumicës, Kostadin Kostadinov, në rrjetin social “Facebook”. /Flaka Media/