Smart News

FRASH në trajnim për fushatat zgjedhore – Viola Ramadani: Po ndërtojmë kapacitete për Tetorin 2025

Kryetarja e Forumit Rinor të Aleancës për Shqiptarët dhe njëherazi Shefe e Shtabit Qendror të FRASH-it, Viola Ramadani, ka marrë pjesë në punëtorinë dyditore të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Maqedoninë e Veriut, e cila kishte për fokus ndërtimin e kapaciteteve për të folur në publik dhe planifikimin e fushatave elektorale, informon PressOnline.al

Në një postim në rrjetet sociale, Ramadani ka ndarë momente nga pjesëmarrja në këtë aktivitet që u zhvillua më 7 dhe 8 korrik në Mavrovë, duke e cilësuar si një përvojë të vlefshme në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të tetorit 2025.

“Punëtoria ishte një hap i rëndësishëm për ndërtimin e aftësive që do të na ndihmojnë të komunikojmë më mirë me qytetarët dhe të planifikojmë me efikasitet fushatat”, ka shkruar Ramadani.

Ajo ka falënderuar OSBE-në për angazhimin e vazhdueshëm në fuqizimin e grave dhe rritjen e përfaqësimit të tyre në proceset e vendimmarrjes, si dhe për mundësinë për të bashkëpunuar me gra të përkushtuara nga e gjithë Maqedonia e Veriut.

Ky aktivitet është pjesë e mbështetjes së gjerë të OSBE-së ndaj përfshirjes së grave në politikë, me theks të veçantë te brezat e rinj dhe roli i tyre në ndërtimin e demokracisë së qëndrueshme.

Exit mobile version