Forumi Rinor i Aleancës për Shqiptarët (FRASH) ka mbajtur mbledhje të rëndësishme, ku është formuar zyrtarisht Shtabi Rinor Qendror dhe janë zgjedhur përfaqësuesit e rinj të Këshillit të Përgjithshëm, të përbërë nga përfaqësuesit e degëve të FRASH, informon PressOnline.al
Viola Ramadani nga FRASH, ka njoftuar se gjatë mbledhjes janë zgjedhur edhe shefat e shtabit për zonat zgjedhore, duke e konsideruar këtë hap si një sinjal të qartë për organizimin dhe angazhimin e të rinjve në skenën politike shqiptare.
“Rinia është forca që ndërton të ardhmen. Sa më shumë dije, guxim e dashuri të ketë në zemrën e saj, aq më i ndritur bëhet nesërmi,” ka deklaruar Ramadani, duke theksuar rolin kyç të të rinjve në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të përparuar.
Ajo ka shtuar se rinia nuk është thjesht një periudhë e jetës, por një energji që kur ndizet me ideal, bëhet dritë për gjithë kombin.
Me këtë strukturim të ri, FRASH synon një mobilizim më të madh të të rinjve për zgjedhjet lokale, si dhe në funksion të sfidave politike dhe shoqërore që i presin shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.