Shefi i kabinetit i Arben Taravarit dhe sekretari për marrëdhënie me jashtë, Arben Fetai thotë se ministri MPJ-së e mandatin e nisi me Vuçiqin dhe e mbaroi me Lavrovin.
“Bujari e nisi me Vuçiçin, e mbaroi me Llavrovin. Më 24 prill, ik i turpëruar. Në politikën e jashtme, vizita e parë jashtë vendit e presidentit, kryeministrit apo ministrit të jashtëm është një ngjarje e mbushur me simbolikë, që përçon mesazh dhe jep tonin e mandatit që po fillon”, shkruan Fetai.
Ai shton se Bujar Osmani, si ministri i parë i jashtëm shqiptar i RMV-së, vizitën e parë zyrtare jashtë vendit e realizoi në Beograd ku u takua me Vuçiçin dhe Daçiçin, dy dishepujt më të denjë të Millosheviçit, të cilët, siç shprehet Fetai, i shpalli aleatë të vendit.
“Dhe ashtu siç e nisi, ashtu e mbaroi. Më shpesh u takua me Vuçiçin e Daçiçin se me Kurtin e Gërvallën. Punoi shumë për Ballkanin e Hapur e fare hiç për të mbrojtur pavarësinë e Kosovës, saqë nuk guxoi të dënonte sulmin mbi sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës nga bandat e Vuçiçit në Banjskë të Zveçanit. U bë persona non grata në Prishtinë dhe mandatin e kurorëzoi duke i thyer sanskionet perëndimore kundër Kremlinit me pritjen e Llavrovit në Shkup. Shqiptarët nuk ia panë hajrin, vetë sherrin”, shprehet Fetai.
Në fund, Fetai thekson se Osmani si ministër injoroi interesat shqiptare dhe mbrojti interesat sllave.
“Bujari po kërkon vota për t’u bërë presidenti i parë shqiptar i RMV-së. Pra Bujari është shqiptar sezonal të cilit i bie në mend që është shqiptar vetëm atëhere kur afrohen afatet zgjedhore. Kësaj here, mashtrimi nuk kalon. Shqiptarët kanë opsion shqiptar fitues”, shprehet Fetai.