Smart News

Feta Alimi: Artan, kthehu siç u ktheva unë edhe pse më orkestrove aktakuzën me dhjetë vjetë dënim

Feta Alimi, ish i dënuari i 27 prillit të vitit 2017-të për ndodhitë në Kuvend, ka kujtuar, siç ai thotë, orkestrimin e arrestimit të tij nga Artan Grubi derisa ka qenë jashtë shtetit.

“Ishte fund nëntori, Policia e Artan Grubit bastisi shtëpinë time, derisa unë ndodhesha në Zvicër për shkak të lindjes së nipit tim, Trimit. Pas bastisjes, ata më lanë në shtëpi aktakuzën ku shkruhej se dënimi minimal ishte 10 vjet burg. U konsultova shumë miq, familjarë dhe dashamirës për të marrë mendim nëse duhej të kthehesha në Maqedoni apo jo. Mendimi i të gjithëve ishte që të MOS kthehesha. Më kontaktuan edhe miq nga shumë vende evropiane dhe Suedi një avokate më garantoi se do të fitoja dokumentet, pasi ishte montim i pastër politik”, kujton Alimi.

Pas gjithë kësaj, shkruan Alimi në statusin e tij në rrjetet sociale, vendosa të kthehem dhe të përballem me “drejtësinë”, duke qenë i vetëdijshëm se ishte një hajkë nga BDI.

“Më 10 dhjetor 2017, nga Zvicra udhëtova në Prishtinë dhe prej Kosove hyra në Maqedoni në këmbë, ilegalisht, me të vetmin qëllim që të mos ua jepja kënaqësinë atyre të thonë se kapëm Feta Alimin. Direkt në gjykatë shkova dhe u paraqita vetë. Ishin të befasuar, sepse u prisha planin BDI-së për të më ngarkuar mua dhe ata të dilnin të pastër. Duhet cekur se është subjektive, por duhet të kesh zemër për t’u kthyer dhe të jesh shumë i fortë moralisht”, sqaron në shkrimin e tij Alimi.

Nuk kisha as pushtet politik, thotë Alimi, as partiak, as material, “por kisha drejtësinë e Zotit, sepse isha i pafajshëm, dhe kjo më jepte fuqi”.

Më pas e dini si kanë rrjedhur gjërat, shton ai.

“Ata kishin shumë pushtet ekzekutiv dhe politik, si dhe shumë të fuqisjëm materialisht, por janë frikacakë, sepse nuk kanë zemër dhe janë me faj”.

Në fund të shkrimit të tij, Alimi ka një porosi për ish zv.kryeministrin Grubi: “Artan, mos ik si “trim”, kthehu bir dhe përballu me drejtësinë”.

Exit mobile version