“Kosova do të prodhojë dronë të tipit Bayraktar”, kështu ka thënë eksperti i Sigurisë në Kosovë, Drizan Shala.
Në një prononcim për Telegrafin, Shala tha se prodhimet e para do të dalin në 2028-ën, pas përmbylljes së planit gjithëpërfshirës 10-vjeçar të tranzicionit të FSK-së.
Sipas tij, dronët do t’i shërbejnë në përbushjen e misionit dhe mandatit të FSK-së, që është mbrojtja e integritetit territorial.
“Industria ushtarake e Republikës së Kosovës, tani më ka filluar të frymëzohet në kontekstin e përmbushjes së nevojave të saja. Në këtë aspekt për herë të parë do të dalin dronët të cilët do të prodhohen në në Kosovë. Dronët do t’i shërbejnë në përbushjen e misionit dhe mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), që është mbrojtja e integritetit territorial”.
Shala theksoi se për këtë, Kosova do të jetë lider në Ballkanin Perëndimor në përmbushjen e nevojave edhe të partneritetit me NATO-n.
“Prodhimet e para do të dalin në 2028-ën, pas përmbylljes së planit gjithëpërfshirës 10 vjeçar të tranzicionit, ku FSK-ja do të këtë edhe emrin e saj, Forcat e Armatosura të Kosovës, dhe me këtë rast do t’i ipet mundësia që të avancojë më tutje pa pengesa. Ky është një hap i duhur dhe i domosdoshëm që tani për herë të parë në rajonin e Ballkanit Perëndimorë, dronët të modelit Bayraktar, të teknologjisë së saj do të prodhohen në Republikën e Kosovës, dhe ne do të jemi lider në Ballkanin Perëndimor, në përmbushjen e nevojave edhe të partneritetit të cilin do të bëjë Kosova nga Partneriteti për Paqe në programin e NATO-s drejt avancimit potencial për të qenë anetare e plotë”, u shpreh eksperti Shala.