Pas gati tre muaj negociata intensive mes partive përbërëse të koalicionit VLEN, duket se fati i Komunës së Tearcës tashmë është vulosur. Sipas burimeve tona nga brenda koalicionit, është vendosur që kandidati për këtë komunë të jetë Daut Memishi nga Lëvizja Besa – duke lënë jashtë garës Amir Elezin e Alternativës.
Kjo zgjedhje, që vjen pas një gare të brendshme të tensionuar, shihet si një fitore e pastër e Besës ndaj Alternativës, e cila duket se po e humb ndikimin në ndarjen e komunave brenda VLEN. Nga ajo që mësohet në terren, Alternativa rrezikon seriozisht të mos ketë asnjë kandidat për kryetar komune në zgjedhjet lokale dhe të kufizohet vetëm në përfaqësim simbolik përmes ndonjë këshilltari.
Fragmentarizimi brenda VLEN tashmë është i prekshëm, veçanërisht me rastin e Sarajit, që po shihet si “molla e sherreve” brenda koalicionit. Asnjëra parti nuk po tërhiqet nga pretendimi për këtë komunë, duke rritur rrezikun për përçarje të thellë.
Sipas të njëjtave burime, Lëvizja Besa po shqyrton seriozisht opsionin që të garojë e vetme në disa komuna strategjike si Tetova, Tearca, Saraji dhe Bogovina, pa u varur nga mbështetja e partive të tjera të VLEN-it.
Megjithëse këto informacione mbeten të pakonfirmuara zyrtarisht, ato pasqyrojnë një dinamikë të brendshme gjithnjë e më të tensionuar në radhët e VLEN – ku lojërat e brendshme për pushtet lokal rrezikojnë të minojnë unitetin e premtuar para qytetarëve.