Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka njoftuar sot për përfundimin me sukses të edicionit të katërt të Shkollës Verore, një projekt tashmë tradicional që ofron aktivitete edukative dhe argëtuese për nxënësit gjatë pushimeve verore.
Limani: Sivjet risi ishte mësimi në gjuhën amtare për fëmijët e mërgimtarëve
“Sot përfundoi me sukses Shkolla Verore 2025, ku nxënësit kishin mundësi të angazhohen edhe gjatë pushimeve në verë. Kjo shkollë, e cila organizohet për të 4-tin vit me radhë, krahas aktiviteteve sportive dhe edukuese, sivjet risi kishte edhe mësimin në gjuhën amtare, enkas për fëmijët e mërgimtarëve,” deklaroi Limani.
Kryetari shtoi se interesi i prindërve dhe fëmijëve ka qenë i madh, por synimi është që vitin e ardhshëm pjesëmarrja të rritet edhe më shumë.
“Shpresoj që edhe vitin e ardhshëm të ketë më shumë masivitet dhe nxënësit do ta kalojnë verën me bashkëmoshatarët në Shkollën Verore,” tha ai.
Shkolla Verore e Gostivarit përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh – nga sporti dhe arti, te mësimi i gjuhës dhe organizimi i lojërave të ndryshme edukative – duke synuar zhvillimin e aftësive sociale, kulturore dhe fizike të fëmijëve.