Koalicioni VLEN ka dalë sot me akuza të reja ndaj ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, duke pretenduar për “furnizime të dyshimta dhe të paligjshme” gjatë organizimit të Këshillit Ministror të OSBE-së në Shkup në dhjetor 2023.
Por dokumentet zyrtare flasin ndryshe: As Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) dhe as Prokuroria Publike nuk kanë gjetur asnjë shkelje në procedurat e MPJ-së.
“Pretendimet e VLEN-it janë të ricikluara dhe të pabaza. Procedurat kanë qenë transparente dhe plotësisht në përputhje me ligjin, fakt të cilin e kanë konfirmuar me shkrim edhe Komisioni Antikorrupsion, edhe Prokuroria Publike,” theksoi ditë më parë Osmani.
Sipas dokumenteve të siguruara, KSHPK-ja ka shqyrtuar kontratën dhe “nuk ka gjetur asnjë vërejtje ligjore”, ndërsa Prokuroria Publike ka konfirmuar se “nuk ka bazë për veprim të mëtejshëm.”
Pavarësisht kësaj, VLEN ka insituar se bëhet fjalë për korrupsion. Për këtë, Osmani u përgjigj:
“Qytetarët duhet ta dinë të vërtetën: gjithçka është bërë në mënyrë të rregullt dhe të dokumentuar. Pas shpalljes së kandidaturës sime, ka filluar një fushatë e orkestruar për të ricikluar informacione tashmë të mbyllura nga institucionet kompetente, duke i paraqitur si ‘ekskluzivitet’. Kjo nuk është politikë e ndershme, por mashtrim i pastër.”
Ai shtoi se akuzat e VLEN-it synojnë të manipulojnë opinionin publik.
“Kur faktet nuk u përshtaten, ata zgjedhin shpifjen. Por faktet janë të qarta: Antikorrupsioni dhe Prokuroria kanë mbyllur rastin si të pastër dhe ligjor,” tha Osmani.
Në vend që të flitet për rezultate konkrete, sipas Osmanit, VLEN po përpiqet të ndërtojë narrativë të rreme për përfitime elektorale.
“VLEN vazhdon me mashtrime dhe sulme të orkestruara, por qytetarët e dinë se kush ka punuar me transparencë dhe kush po përpiqet të mbulojë dështimet e veta,” përfundoi ai. /Flaka/