Premtim Koxhaxhiku, djali i deputetes nga VLEN dhe anëtare e Lëvizjes Demokratike, Merita Koxhaxhiku, është punësuar si “këshilltar i pavarur në kabinetin e drejtorit për financa, çështje juridike dhe zhvillim” në Agjencinë për Kontrollin e Fluturimeve M-NAV, raporton gazeta Koha.
Burime nga M-NAV për gazetën thonë se ai është një nga vetëm dy shqiptarët e punësuar në dy konkurset e fundit, në të cilat janë pranuar gjithsej 16 persona. Konkursi i parë (13 qershor) ka përfunduar pa u punësuar asnjë shqiptar, ndërsa në të dytin (9 korrik), përveç Premtim Koxhaxhikut, është angazhuar edhe Artan Shaqiri në pozitën “sigurimi i pronës”.
Vendimet zyrtare do të shpallen pas përfundimit të zgjedhjeve.
Ndërkohë, Sindikata e Kontrollorëve të Fluturimeve ka akuzuar drejtuesit e M-NAV-it se nuk lejojnë një përfaqësues të tyre të marrë pjesë në intervistat për vendet e punës me pagë fillestare mbi 1.000 euro, në kundërshtim me Marrëveshjen Kolektive.
“Ne nuk jemi spiunë që të shikojmë nga çelësi i derës, por të konfirmojmë që janë zgjedhur kandidatët më të mirë”, tha Aleksandar Tasevski, kryetar i sindikatës, duke shtuar se drejtorët i kanë lënë vetes të drejtën ekskluzive për përzgjedhjen, pa kontroll apo transparencë reale.
Sindikata këmbëngul në përsëritjen e procedurave me përfshirjen e vërtetë të përfaqësuesve të saj, ndërsa akuzat për punësime politike vazhdojnë të tronditin agjencinë.