Smart News

Deputetja Mimoza Musa në tryezën kombëtare për sfidat demografike: Nevojitet bashkëpunim për një të ardhme të qëndrueshme

Deputetja e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Mimoza Musa, mori pjesë sot në ngjarjen me temë “Sfidat demografike dhe zgjidhjet e mundshme”, e organizuar nga Qeveria, në bashkëpunim me UNFPA dhe Koordinatorin Kombëtar për Demografi.

Gjatë këtij diskutimi të nivelit të lartë, pjesëmarrësit analizuan fenomenet shqetësuese që po prekin vendin dhe rajonin, si migracioni i brendshëm dhe i jashtëm, rënia e normave të lindshmërisë dhe plakja graduale e popullsisë.

Në fjalën e saj, deputetja Musa theksoi se këto sfida kërkojnë një përgjigje të përbashkët, të koordinuar dhe me plane të qarta afatgjata.

“Migracioni dhe rënia e lindshmërisë nuk janë thjesht shifra në statistika – ato janë histori njerëzore, sfida për familjet, për komunat dhe për shtetin. Vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve, organizatave vendore dhe ndërkombëtare, mund të ndërtojmë politika efektive që nxisin qëndrueshmëri dhe zhvillim afatgjatë,” u shpreh Musa.

Ajo vuri në dukje se është thelbësore të krijohen kushte më të mira për të rinjtë, për familjet e reja dhe për të kthyer besimin e qytetarëve se ardhmëria e tyre është e sigurt brenda vendit.

Ngjarja u karakterizua nga shkëmbimi i ideve dhe praktikave të mira ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, trupave ndërkombëtare dhe ekspertëve të fushës, me synimin për të hartuar zgjidhje konkrete për sfidat demografike që ndodhen përpara.

Exit mobile version