Departamenti i rasteve të “montuara”, pa shqiptarë!

e postuar më at 21:10
199 0

Punonjësit e këtij Departamenti, që të gjithë maqedonas, kanë ofruar “ekspertiza” që kanë qenë dëshmi kyçe si në rastin “Monstra” për forenzikën e dheut, në rastin “Alfa” për ekspertizë të qimeve të flokëve, DNK teste në rastin “Sopoti”… Në këtë sektor, nga 80 të punësuar – vetëm 2 janë shqiptarë, që tregon për angazhimin e politikës shqiptare në këto 20 vite për të “demontuar” këtë sektor ku sipas popullatës shqiptare, montohen proceset politike kundër tyre.

Rastet e montuara politike në Maqedoninë e Veriut janë një plagë e pashëruar sidomos për shqiptarët që jetojnë në këto troje. Janë të shumta rastet e montuara gjyqësore me urdhër politik nga qeveritë e deritanishme, ku viktima çdoherë kanë qenë shqiptarët. Departamenti për Teknikë Kriminalistike në Polici supozohet të jetë burimi i proceseve të montuara politike, por edhe pse kanë kaluar 20 vite nga lufta e vitit 2001, në këtë Departament – shqiptarët janë të padukshëm. Departamenti për Teknikë Kriminalistike në MPB vazhdon të konsiderohet i parëndësishëm nga partitë si dhe zyrtarët shqiptarë në MPB, edhe pse vendimet gjyqësore merren pikërisht nga “dëshmitë” që i ofron ky Departament. Punonjësit e këtij Departamenti, që të gjithë maqedonas, kanë ofruar “ekspertiza” si në rastin “Monstra” për forenzikën e dheut, në rastin “Alfa” për ekspertizë të qimeve të flokëve, DNK teste në rastin “Sopoti”… dhe për të gjitha vendimet gjyqësore që janë marrë deri më tani.

TRE SEKTORË DHE 15 NJËSI ME VETËM DY SHQIPTARË!

Në ndërkohë, në gjithsej tre Sektorë me 15 njësi, shqiptarët përfaqësohen me vetëm dy punonjës, një shef dhe një punonjës në Njësinë kriminalistiko-teknike për foto, video, audio dhe digjitale. Numrin e punonjësve të përgjithshëm nuk e ka tregon askush, megjithëse flitet për numër që tejkalon 80 punonjës. Dy sektorët tjerë që për detyrë kanë identifikimin dhe ekzaminimin gjatë hetimeve të rasteve, siç është Sektori për identifikim kriminalistik dhe Sektori për ekzaminime kriminalistiko-laboratorike, vazhdojnë të punojnë pa asnjë shqiptarë. Shqiptarë nuk ka as në Njësinë për ekzaminime biologjike dhe DNK identifikim, në Njësinë për Mikrogjurmë, në Njësinë për linja papilare, për gjurmë mekanike dhe automjete, në Njësinë për daktiloskopi, në Njësinë e Balistikës dhe armëve, në Poligrafi…

Se përfaqësimi i drejtë nuk respektohet në këtë Departament shumë të rëndësishëm, e pranon edhe zëvendësministri Nazim Bushi. Për gazetën KOHA, Bushi thotë se deri më tani nuk ka pasur konkurse për punësime në këtë Departament, por as edhe interes nga shqiptarët për t’u punësuar në këto sektorë. Megjithatë, ai inkurajon gjithë të interesuarit të paraqiten në MPB nëse i plotësojnë kushtet. “Në Sektorin e Forenzikës kemi vetëm një kryeshefe njësie – një punonjëse shqiptare dhe një i punësuar tjetër. Problemi është se për momentin nuk ka të interesuar dhe nuk paraqiten për t’u punësuar në sektorin e forenzikës. Shfrytëzoj rastin t’u apeloj atyre që kanë kryer Fakultetin e Biologjisë apo Kimisë të paraqiten në MPB dhe mund t’i marrim menjëherë në punë. Mesa e di unë, nuk ka pasur shpallje deri tani për t’u punësuar në Departamentin e Forenzikës, por nëse ka interes – ato mund të paraqiten dhe pa konkurs dhe drejtpërdrejtë i marrim në punë”, thotë për KOHA, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nazim Bushi.

RAUFI: SIKURSE “TIGRAT”, EDHE FORENZIKA E MBYLLUR PËR SHQIPTARËT

Avokati Naser Raufi shprehet se pikërisht në Departamentin për Teknikë Kriminalistike montohen të gjitha rastet politike. Ai është i prerë ku thotë se nëse do të kishte më shumë shqiptarë në sektorët e këtij Departamenti, konkretisht në forenzikë dhe krim-teknikë, shumë raste që i mbrojnë avokatët shqiptarë, si ai për “Monstrën”, do të kishin marrë epilog ndryshe dhe jo me dënime drakonike për shqiptarët. “Njëjtë si njësiti ‘Tigrat’ që nuk ka pasur 40 vite asnjë shqiptarë, ashtu është i mbyllur edhe ky Departament. Unë nuk e di arsyen e mosinteresimit të partive shqiptare për këtë departament, ne seriozisht kemi ekspertë shumë të mirë shqiptarë që do të ishin të denjë për t’u punësuar në krim teknikë dhe forenzikë. Nëse në këto sektorë do të kishte më shumë shqiptarë, shumë raste që i kam udhëhequr unë dhe kolegët e mi, e që dyshohen të jenë të montuara, do të kishin epilog ndryshe. Sepse në forenzikë bëhen të gjithë ekspertizat e rasteve, si testi i DNK-së, gjurmë tjera… Për shembull, në rastin ‘Monstra’ ata kanë bërë ekspertizë të dheut, gjë që solli edhe te vendimi përfundimtar. Këtu bëhen montimet kryesore”, ka deklaruar për KOHA, avokati Raufi.

Në historinë e shtetit të Maqedonisë së Veriut, janë rreth 30 raste gjyqësore që konsiderohen të montuara politikisht. Shumë raste të montuara u atribuohen të gjitha pushteteve të mundshme. Rasti i Sopotit ishte montuar në kohën e LSDM-së, ndërsa 10 vite burg pa faja vuajtën banorë të pafajshëm të Sopotiti. Burgime të përjetshme me dëshmitë e Departamentit për Teknikë Kriminalistike fituan edhe tre shqiptarë të dënuar në rastin “Alfa”. Edhe rasti “Monstra” përfundoi me burgime të përjetshme duke u bazuar në dëshmitë e këtij Departamenti. (koha.mk)

nga kategoria

pg slot