Smart News

Çmimet botërore në rënie, në Maqedoni rritje për 4.1%

Organizata Botërore për Ushqim (FAO) publikoi se në maj, krahasuar me prillin, indeksi i përgjithshëm i çmimeve të ushqimit është ulur për 0.8%. Megjithatë, në Maqedoninë e Veriut, statistika ka matur se shpenzimet e jetesës për ushqim në të njëjtën periudhë të analizuar janë rritur për 4.1%. Në maj, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, përveç ushqimit, janë rritur edhe shpenzimet për mirëmbajtjen e amvisërive, për kujdesin shëndetësor, në sektorin e gastronomisë, raporton Portalb.

PSE ÇMIMET NË MAQEDONI U NGRITËN SËRISH?

Frutat dhe perimet sezonale e kanë mbushur tregun, por çmimet sërish janë “ngjitur lart”. Në marketet dhe dyqanet e Shkupit – që janë të specializuara për fruta dhe perime, në fund të majit dhe fillim të këtij muaji, çmimet ndryshojnë, por megjithatë mbesin në nivel të lartë. Konkretisht, një kilogram luleshtrydhe shitet edhe për 300 denarë, pjeshkat nga 170 deri në 200 denarë, një kilogram shalqi i mirë deri 50 denarë. Diçka më të ulëta janë çmimet e kastravecit, një kilogram nga 35 deri në 50 denarë, por domatet dhe specat ende “mbajnë” çmim deri në 100 denarë. Në periudhën e kaluar disa produkte janë shtrenjtuar dukshëm, për shembull 100 gramë kafe që shitej për 74 denarë, tani, me të njëjtin markë dhe sasi, kushton 99 denarë, që është një rritje mbi 25%.

Statistika vendore ka matur se në maj, krahasuar me prillin, inflacioni i përgjithshëm arrin 1.5% ndërsa vetëm shpenzimet për ushqim janë rritur për 4.1%. Shpenzimet për ushqim janë rritur edhe krahasuar me majin e kaluar, për 4.9%, ndërsa në pesë muajt e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, rritja është 4.1%. Nga janari deri në fund të majit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shpenzimet e jetesës janë rritur pothuajse për gjithçka: për mirëmbajtje të amvisërisë dhe mobilje për 3.7%, për kujdes shëndetësor për 4.1%, për restorante dhe hotele 7.8%.

ÇMIMET BOTËRORE TË USHQIMIT NË RËNIE

Në maj krahasuar me prillin, sipas statistikave të Organizatës Botërore për Ushqim, indeksi i çmimeve të ushqimit është ulur për 0,8%. Konkretisht, indeksi i çmimeve të drithërave është ulur për 1.8%, i vajit bimor për 3.7% dhe i sheqerit për 2.6%. “Çmimet globale të misrit ranë ndjeshëm gjatë muajit, për shkak të konkurrencës së fortë dhe disponueshmërisë së shtuar sezonale. Çmimet globale të vajit bimor u ulën për shkak të konkurrencës, prodhimit të shtuar sezonal dhe rezervave ekzistuese”, theksojnë nga FAO. Nga ana tjetër, në maj krahasuar me prillin, indeksi i çmimeve të produkteve të qumështit është rritur për 0.8%, ndërsa i mishit për 1.3%.

Inflacioni në rritje në vend është nën “vëzhgim të rreptë” të Bankës Popullore të Maqedonisë. Në vlerësimin e Këshillit Ekzekutiv për Politikë Monetare të BPM-së, i pari nën mandatin e guvernatorit të ri Trajko Sllaveski, është vërejtur se inflacioni i majit është më i lartë nga sa pritej dhe për këtë arsye nevojitet kujdes. BPM nën drejtimin e guvernatorit të ri e ka mbajtur politikën monetare ekzistuese, pa ndërhyrje në instrumentet për lehtësim.

“Performanca inflacionare përbën ende një segment të rëndësishëm që duhet ndjekur me kujdes. Konkretisht, në maj të vitit 2025, norma vjetore e inflacionit është përshpejtuar dhe arrin 3,3%. Kjo, në masën më të madhe, është për shkak të rritjes së çmimeve në përbërësin ushqimor, pas përfundimit të vlefshmërisë së masave për kufizimin e rritjes së çmimeve”, thuhet nga BPM dhe shtohet se realizimet e inflacionit janë pak mbi pritjet, gjë që tregon për efekte të zgjatura dhe nevojë për kujdes. “Prandaj, rreziqet për dinamikën e ardhshme të inflacionit vazhdojnë të ekzistojnë dhe janë të lidhura me pasigurinë e zgjatur nga mjedisi i jashtëm i ndryshueshëm, por edhe me faktorë të brendshëm që ndikojnë në kërkesë”.(koha.mk)

Exit mobile version