Nga Liridon Ramadani
Mbrëmë në Çair u bë hapja e shtabit zgjedhor, dhe për mua ky moment tregoi qartë se Çairi është pika ku përplaset kontradikta e brendshme e VLEN-it, por njëkohësisht shihet edhe frika e tyre nga humbja e thellë. Në Çair, ata nuk mund të thirren në emër të “ndryshimit”. Si mund të flasë për ndryshim Izet Mexhiti, i cili për tri mandate ka qenë kryetar komune, e pastaj edhe përmes Visar Ganiut ka vazhduar ta udhëheqë Çairin edhe dy mandate tjera? Për të mbuluar këtë boshllëk, narrativën e ndryshimit po mundohen ta zëvendësojnë me një narrativë të re atë të “lokalizmit”, sikur kinse tash është koha që Shkupi të udhëheqë politikën shqiptare. Por pikërisht këtu nis kontradikta e madhe: kjo qasje automatikisht e minon rolin e Bilallit brenda VLEN-it, sepse gjithë pesha dhe imazhi po i mvishen Izetit, i cili tashmë perceptohet si lideri i tyre. Dhe kjo është pika që e tregon fytyren e vërtet të Vlenit. Pse? Sepse Izet Mexhiti nuk shihet si figurë e ndryshimit, por si pushtetar 20-vjeçar. Me këtë, jo vetëm që ia mveshin VLEN-it barrën e së kaluarës, por edhe ua heqin nga dora figurave të tjera të cilat tash e humbin arsyen për t’u thirrur në ndryshim. Kështu, Bilalli bie në një pozitë periferike politike: edhe nëse fiton, fitorja e tij do të jetë vetëm plotësuese, por jo vendimtare.
Në anën tjetër, bie në sy mungesa dhe injorimi i Arben Fetait. Ky fakt është mesazh i qartë se roli i tij brenda VLEN-it ka marrë fund. Nga promotor dhe truri i vetëshpallur i ndryshimit, ai sot është lënë jashtë loje, i padukshëm dhe i parëndësishëm.
Dhe e gjitha kjo së shpejti do të sjellë përplasje të brendshme në kampin e VLEN-it. Përplasjet që do t’i nxjerrin në sipërfaqe kontraditat e tyre dhe që do t’i çojnë drejt një humbjeje më të thellë se sa e kanë pritur.