Buxheti i Gostivarit u realizua në masën 98 për qind

e postuar më at 20:02
93 0

Duke krahasuar me vitet e kaluar, respektivisht nga viti 2017 e deri më tani, Buxheti i Gostivarit ka shënuar një rritje të realizimit prej 3.5 milionë euro secilin vit.

Realizimi i Buxhetit të Komunës së Gostivarit për vitin që e lamë pas, gjegjësisht 2020 – ka arritur në 98.5 për qind. Gjithsej për vitin e kaluar ishin planifikuar mbi një miliard denarë dhe pjesa më e madhe e tij janë realizuar. Këtë e ka bërë të ditur përfaqësuesi i Sektorit për Financa dhe Buxhet në Komunën e Gostivarit, Sadri Elezi, ndërsa ka nënvizuar se është një realizim i buxhetit në nivel të kënaqshëm. Në këtë konkluzion, ai u bazua në atë se viti 2020 ishte vit sfidues në shumë sfera duke patur parasysh pandeminë Covid-19. Shumë pak mjete nuk janë realizuar në vitin 2020 dhe të njëjtat janë paraparë për këtë vit, theksojnë nga Sektori për Financa në Komunën e Gostivarit.

“Planifikimi i Buxhetit për vitin 2020 ka qenë mbi një miliard denarë. Nga viti 2020 në vitin 2021 kemi vetëm tre milionë denarë transfere të mjeteve, kurse në përqindje – realizimi është 98.5 për qind, që është një përqindje e lartë e realizimit, duke patur parasysh se viti i kaluar ka qenë një vit krize dhe i pandemisë”, tha Elezi. Duke krahasuar me vitet e kaluar, respektivisht nga viti 2017 – Buxheti i Gostivarit ka shënuar një rritje të realizimit prej 3.5 milionë euro ndër vite. “Nëse marrim një radhitje nga viti 2017 deri në vitin 2020, praktikisht kemi një rritje të madhe. Në vitin 2017, buxheti ka qenë 13 milionë euro, vitin 2018 ka qenë 15 milionë euro, në 2019 ka qenë 16 milionë euro, kurse në 2020 përafërsisht 17 milionë euro. Pra kemi një rritje mbi 3 milionë euro ndër vite të buxhetit të Komunës së Gostivarit”, tha Elezi.

Sipas këtij sektori, për këtë vit Komuna e Gostivarit ka një buxhet në vlerë rreth 18.2 milionë euro. Por, edhe në këtë buxhet pjesa më e madhe apo rreth 60 për qind është parashikuar për bllok-dotacione apo transfere nga ministri të ndryshme për rrogat e punëtorëve nëpër shkolla, çerdhe, njësi të zjarrfikësve e kështu me radhë. Komuna e Gostivarit po ashtu për këtë vit ka paraparë mjete edhe për investime kapitale, ku dominojnë ndërtimet e kanalizimeve. “Nëse në vitin 2020 kishim 8 milionë denarë për rrjetet e kanalizimit, këtë vit janë paraparë 25 milionë denarë për këtë qëllim”, thonë nga Sektori për Financa në Komunën e Gostivarit. Buxheti për vitin 2021 në këtë Komunë të Pollogut parasheh edhe mjete për mbrojtjen e ambientit jetësor, ku pritet të ndahen para edhe për Këshillin rinor në kuadër të kësaj komune. (koha.mk)

nga kategoria