Bujqit kërkojnë të paguhen humbjet reale

e postuar më at 20:52
64 0

Qeveria synon që, duke marrë shembullin turk të sigurimeve bujqësore, të mbrojë dhe rrit prodhimtarinë bujqësore në vend. Megjithatë, përfaqësues të bujqve shprehen dyshues se sa një zgjidhje e tillë do të përmirësojë situatën në terren, duke marrë parasysh përvojat jo të mira nga vitet e kaluara.

Fondi i sigurimeve bujqësore duhet të mbrojë më shumë prodhimtarinë bujqësore dhe të rrisë edhe sigurimin e prodhimit bujqësor dhe blegtoral. Ky është synimi i shtetit që me ndihmën turke, ka për qëllim shfrytëzimin e përvojave të suksesshme dhe të të përmirësojë sistemin aktual të sigurimit bujqësor në vend. Megjithatë, përfaqësues të bujqve shprehen dyshues se sa një zgjidhje e tillë ligjore do të përmirësojë situatën në terren, duke marrë parasysh përvojat jo të mira nga vitet e kaluara. “Një nismë e tillë është e mirëseardhur, mirëpo do të shohim se si do të shkojë realizim i saj në praktikë dhe sa bujqit do t’ia shohin hairin asaj. Me fjalë të tjera, nevojitet të paguhen humbjet reale të bujqve, për shkak se kemi më shumë raste kur nuk pranohen dëmet e shkaktuara nga vërshimet ndaj grurit apo kulturave të tjera bujqësore nga dëmet e shkaktuara. Kemi raste kur shteti nuk e paguan 60 përqindëshin e sigurimit si obligim ligjor dhe kemi raste që dëmet nuk pranohen dhe vlerësohen si duhet nga ana e kompanive të sigurimit…”, thotë anëtari i Këshillit drejtues të Federatës së Fermerëve të Maqedonisë, Memet Sinani .

Në ndërkohë, në ofertat e kompanive qëndron sigurimi i të gjitha kulturave bujqësore që akoma nuk janë mbledhur apo grumbulluar. Sigurohen edhe rendimentet e pritura vjetore të rrushit, pemëve, drithërave, perimeve dhe kulturave industriale. Nga ana tjetër, edhe pse nga viti 2008 shteti mbulon afër gjysmën e sigurimit bujqësor të të mbjellave, fermerët në Maqedoni vazhdojnë të jenë dyshues për përfitimet nga sigurimi bujqësor. Këtë e tregojnë edhe të dhënat zyrtare, sipas të cilave, në vitin 2015 janë nënshkruar 5000 kontrata, ndërsa në vitin 2016 – janë shitur vetëm 2000 kontrata për sigurim bujqësor. Ekspertët bujqësor thonë se në kushte të ndryshimeve të mëdha klimatike që po dëmtojnë rendimentet dhe cilësinë e prodhimtarisë bujqësore, nevojitet të gjenden mënyra që në mënyrë më efikase të mbrohet puna dhe mundi i fermerëve në vend. Kompetentët thonë se duhet të gjendet një model më praktik dhe i zbatueshëm për një periudhë më afatgjate, me qëllim që bujqit të sigurojnë të mbjellat. Në këtë drejtim do të shfrytëzohen edhe përvojat nga shtetet që kanë përvojë dhe suksese në këtë drejtim, siç është Turqia. Ministri i Bujqësisë, Arijanit Hoxha, thotë se ndryshimet klimatike paraqesin një kërcënim të madh për prodhimtarinë bujqësore, ndërsa shteti për çdo vit paguan nga 3.5 milionë euro për kompensimin e dëmeve.

“Është koha të vendoset një sistem i organizuar i sigurimit dhe mbrojtjes së bujqësisë. Vetëm kështu do të arrijmë ti përgjigjemi me sukses sfidës më të madhe të bujqësisë – ndryshimeve klimatike si dhe të rrisim të mbjellat dhe rendimentet dhe cilësinë e tyre”, thotë ministri Hoxha. Sipas tij, me sistemin e ri të punës, të gjitha mjetet financiare do të grumbullohen në një vend, ku të hollat që do të jepen tani, ndoshta do të zvogëlohen, por do të mbulojmë më shumë prodhimtarinë bujqësore dhe do të stimulojnë bujqit të orientohen më shumë ndaj sigurimit bujqësor. Tani shteti paguan edhe dëmet edhe subvencionet për sigurim, ndërsa në të ardhmen – me një menaxhim më praktik të të hollave shtetërore, synohet të ofrohet siguri për fermerët dhe të vendoset një sistem në të cilin, ato do të kenë besim. Pritet të ketë edhe stimulime shtesë për sigurimin e të mbjellave bujqësore. Sistemi i ri për sigurimin bujqësore pritet të vendoset me ndihmën teknike të autoriteteve turke që kanë sukses të madh në funksionimin e një sistemi të mirëfilltë të sigurimit bujqësor.

“Do të analizojmë të gjithë rreziqet me të cilat ballafaqohet bujqësia e Maqedonisë. Do të ishte herët të thuhet se si mundet këtu të zbatohet kjo praktikë. Në Turqi, bujqit mund të marrin sigurime nga bankat, dhe nga përfaqësitë tona të kompanive të sigurimit”, thotë drejtoresha e Agjencisë për Menaxhimin e Sistemit të Sigurimeve Bujqësore – TARSIM, Serpil Gjunar. Sipas saj, gjatë vizitave tona jashtë vendit, kemi vërejtur që TARSIM ndryshon nga sistemet e ngjashme dhe është në një nivel më të avancuar në shumë aspekte, siç janë gjerësia e mbulimit, larmia e produkteve të sigurimeve, pajtueshmëria me teknologjinë etj. Ndryshe, pjesëmarrja e bujqësisë vitin e kaluar në Prodhimin e Brendshëm Bruto ishte 8.6 për qind apo afër 925 milionë euro. Njëherësh, në arritjen e këtyre projeksioneve financiare, merr pjesë vetëm afër 20 për qind e popullatës që merren me bujqësi, si veprimtari primar apo dytësore. Gjithashtu, veprimtaria bujqësore dhe blegtorale paraqet edhe burimin e vetëm të ekzistencës së shumë familjeve, kryesisht në rajone rurale. Në industrinë përpunuese të ushqimit marrin pjesë më shumë se 7000 kompani që krijojnë në mënyrë shtesë edhe 6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

SISTEMI TURK ME 1.800.000 SIGURIME NË VITIN 2018

Sigurimi bujqësor turk, dallohet me sigurimin vullnetar dhe të integruar me regjistrin kombëtar të fermerëve. Ofrohen edhe kushtet e njëtrajtshme të sigurimit dhe normat e njëjta të primit për të gjitha kompanitë. Menaxhimi i kësaj organizate realizohet nga bordi i sigurimeve bujqësore. Parashikohen edhe subvencion premium dhe mbështetje financiare për humbjet e siguruara nga katastrofat natyrore, si dhe realizohet menaxhimi i aktiviteteve të sigurimit nga një kompani e menaxhimit jofitimprurës. Ndër të tjerash, parimet e punës janë edhe mbulimi më i gjerë i sigurimeve dhe zgjerimi i tyre, qëndrueshmëria e sistemit të sigurimeve, përballueshmëria e primeve të larta të sigurimit, stabiliteti i të ardhurave të fermerëve dhe disiplina buxhetore e sektorit publik. Njëherësh, në periudhën 12-vjeçare, është shumëfishuar edhe sigurimi bujqësor në Turqi falë edhe punës së Agjencisë për Menaxhimin e Sistemit të Sigurimeve Bujqësore. Polisat apo primi i sigurimi në bujqësi janë rritur nga 12.252 në vitin 2006 në 1.800.000 në vitin 2018. Apo e shprehur në tokë punuese bujqësore, sigurimet janë rritur nga 0.01 milion hektarë në vitin 2006 në 2.5 milionë hektarë në vitin 2018. (koha.mk)

nga kategoria