Categories: Lajme

“Bota serbe” nuk është thjesht simbolikë, rrezikon shtetësinë dhe të ardhmen europiane të Maqedonisë së Veriut

Se shqetësimi i shprehur në Raportin e Parlamentit Europian lidhur me Maqedoninë e Veriut, respektivisht me promovimin e të ashtuquajturës “botës serbe” nga disa zyrtarë qeveritar të Maqedonisë së Veriut, nuk është nxjerrë si mësim nga Shkupi zyrtar e vërtetojnë defilimet e reja të krerëve të lartë shtetëror të Serbisë në Maqedoninë e Veriut. Njohësit e rrethanave politike shtrirjen e ndikimit të “botës serbe” në vend e vlerësojnë si pjesë të propagandës “serbomadhe” kurse kanë reaguar dhe partitë shqiptare. Nga partia maqedonase VMRO-PP, thonë se “politika serbomadhe dhe shovinizmi ndaj Maqedonisë po merr dimension tjetër dhe kjo falë qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe ZNAM”, shkruan Portalb.mk.

Fundjavën e kaluar, (12 shtator) me rastin e 109-vjetorit të Betejës së Kajmakçalanit, një delegacioni i Serbisë, që përfshinte klerikë nga Kisha Ortodokse Serbe dhe ushtarë të ushtrisë së Serbisë, në emër të Qeverisë së Republikës së Serbisë, vendosën kurora me lule në majën e Kajmakçalanit, për të shënuar ngjarjen historike të quajtur “Fronti i Selanikut”. Por ngjarja nuk do merrte jehonë, nëse protagonistët nuk do kujdeseshin që të japin edhe mesazhe politike dhe provokative.

“Nën “Flamurin e Unitetit”, ne nderojmë paraardhësit tanë dhe dëshmojmë vëllazërinë mes serbëve dhe maqedonasve – i njëjti trung, e njëjta rrënjë, e ardhme e përbashkët”, shkroi në rrjete sociale ministrja serbe e Punës dhe Politikave Sociale, Milica Gjurgjeviç Stamenkovski, duke promovuar ngjarjen, ku prezent kishte edhe përfaqësues nga ekzekutivi i Maqedonisë së Veriut.

Ministri serb i Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq, ish-drejtor i agjencisë sekrete serbe BIA, dërgoi porosi politike në përkujtimin shtetëror më 7 shtator 2025 në Kajmakçalan: atje “u hap rruga drejt lirisë” dhe prej andej filloi “kthimi në atdhe”, “Porta e Lirisë” përmes së cilës ushtria serbe “hyri përsëri në tokën e vet”.

“Bota serbe” dhe synimi i saj

Njohësi i rrethanave politike në vend, Sefer Selimi në prononcimin e tij për Portalb.mk, ka sqaruar konceptin e “botës serbe”.
“Bota serbe” është koncept politik, i cili është një kopje e “Botës ruse” -Ruski Mir- në gjuhën origjinale. Një projekt gjeopolitik që ka për qëllim ta kthejë Beogradin në epiqendrën e vendimeve politike, të shtrirjes kulturore dhe të orientimit gjeopolitik. Pra, instrumentalizimi i mëtejshëm i segmenteve shoqërore për ta vendosur Beogradin në epiqendrën e vendimmarrjes”, tha Selimi.

Sefer Selimi, foto nga profili i tij në Facebook
Sefer Selimi, foto nga profili i tij në Facebook
Instrumentet e tjera që përdoren në mënyrë aktive, sipas Selimit janë edhe agjencitë dhe shërbimet e inteligjencës, të cilat aktivizojnë çdo instrument tjetër në dispozicion që politika serbe të implementohet dhe të pranohet në shtetet ku synon të shtrihet. Këtu, shton tutje Selimi, përfshihen edhe politika zyrtare dhe jozyrtare.

“Ky është revizionizëm historik që përpiqet të instalohet përmes politikës zyrtare të Beogradit dhe, fatkeqësisht, i mirëpritur apo i aprovuar në një formë nga qeveria e Maqedonisë ka për qëllim shtrembërimin e historisë dhe paraqitjen e fakteve historike në një dritë tjetër, duke tentuar që Serbia të shihet si “çlirimtare” apo “vëllai i madh” i Maqedonisë. Gjithashtu, duhet theksuar instrumentalizimi i Kishës Ortodokse Serbe dhe ndikimi i jashtëzakonshëm që ajo ka mbi Kishën Ortodokse Maqedonase. Edhe kjo përdoret për të shtyrë idenë e “Botës serbe” dhe për të rritur ndikimin serb në Maqedoninë e Veriut”, tha për Portalb.mk Selimi.

Selimi nënvizon se ndërhyrjet vërehen në të gjitha fushat me një intensitet shumë të madh, sidomos me ardhjen në pushtet të qeverisë së re dhe me pjesëmarrjen e partisë VMRO-DPMNE dhe VLEN-it, si dhe rolit të partisë ZNAM, që ka një afërsi shumë të madhe se partitë tjera me Serbinë.

Xhelo Hoxhiq, kryetar i Partisë së Veprimit Demokratik në Maqedoninë e Veriut
Xhelo Hoxhiq, kryetar i Partisë së Veprimit Demokratik në Maqedoninë e Veriut
Për kryetarin e Partisë së Veprimit Demokratik në Maqedoninë e Veriut, Xhelal Hoxhiq që prej momentit kur Republika e Maqedonisë së Veriut e ndali vetë nga brenda rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, një objektiv strategjik i shtetit dhe pasi u bë e qartë se opozita e atëhershme, sot në pushtet, nuk ka ndërmend të ndërmarrë ndryshimet kushtetuese për të kapur trenin evropian bashkë me Malin e Zi dhe Shqipërinë, tani më pa asnjë maskë ndjehet ndikimi i asaj që analistët perëndimorë e quajnë “bota serbe”.

“Bota serbe është propagandë serbomadhe e cila synon të minojë kufijtë ekzistues të shteteve në Ballkanin Perëndimor. Nuk e them unë, por të gjithë analistët perëndimorë, po citoj David Cameron, ish kryeministër britanik dhe ish ministër i jashtëm, e theksojnë se Serbia është një shtet-proksi i Rusisë në rajonin tonë. Në këtë kuptim, kjo situatë ka një dimension serioz politik. Është për t’u habitur heshtja e qeverisë, e kryeministrit dhe e dy partive më të mëdha maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE dhe ZNAM, të cilat e quajnë veten “patriotike”, por nuk thonë as edhe një fjalë për propagandën e madhe serbe që paraqet Maqedoninë e Veriut si tokë serbe”, theksoi në deklaratën e tij për Portalb.mk.

Sipas Hoxhiq kjo që po ndodh tani nuk është rastësi apo incident, por një vazhdimësi.

“Do të rikujtoj se në janar të këtij viti, në Shkup erdhi Millorad Dodik dhe në qendër të qytetit, përpara kryeministrit dhe disa ministrave, mbajti fjalime kundër BE-së, kundër NATO-s, kundër Perëndimit, dhe lavdëroi Putinin. Nga ana e qeverisë, pati vetëm një reagim të zbehtë për t’u distancuar nga kjo vizitë, por në vijim kemi parë një vazhdimësi të atyre politikave. Dhe një herë dua të theksoj: me zëvendëskryeministrin e saj që merr rregullisht pjesë në këto aktivitete, kjo qeveri tregon se vijëzimi ideologjik i saj për momentin nuk është integrimi evropian, por afrimi me atë që quhet “bota serbe”, përfundoi Hoxhiq.

Ish-ambasadori, Bllagoj Zashov, nga ana tjetër, tha se është veçanërisht provokuese që flitet për vëllazërinë midis serbëve dhe maqedonasve që kanë ‘të njëjtën rrjedhë.

“Këtë vit ka reagime ndaj sloganit nën të cilin u zhvillua festimi i Kajmakçalanit. Sikur donin të arrinin ndonjë efekt të unitetit serb në kushtet në të cilat ndodhet Serbia tani. ‘Flamuri i unitetit’ si slogan dërgon mesazhin e gabuar dhe pala maqedonase po reagon me të drejtë. Është veçanërisht provokuese që znj. Stamenkovski flet për vëllazërinë midis serbëve dhe maqedonasve që kanë ‘të njëjtën rrjedhë, të njëjtën rrënjë dhe unitet të përbashkët’. Kjo të kujton të kaluarën (midis dy luftërave botërore, por edhe kohën e Millosheviqit). Serbia nuk duhet të kërkojë një ‘botë serbe në Maqedoni’. Serbët janë të barabartë si popull në Maqedoni”, tha ish-ambasadori, Bllagoj Zashov në një intervistë për Racin.mk.

“Bota serbe” rrezikon shtetësinë dhe të ardhmen europiane të vendit

“Është shqetësuese paraqitja e forcave paramilitare, të cilat këtë vit me me bereta të kuqe defiluan në Manastir dhe Maqedoni. Vet akti paraqet lojë me pavarësinë dhe veçantinë e shtetit maqedonas”, shkruan në reagimin e VMRO – Partia Popullore, duke adresuar përgjegjësinë për “politikën shoviniste dhe serbomadhe” te pushteti aktual i cili udhëhiqet nga VMRO-DPMNE dhe ZNAM.

Tema e “botës serbe” në Maqedoninë e Veriut i ka konfrontuar edhe partitë politike shqiptare.

“Heshtja e turpshme e VLEN-it dhe justifikimet e tyre banale nuk mund të amnistojnë vazalitetin e tyre politik ndaj Mickoskit dhe hapjen e dyerve të RMV-së për projektet hegjemoniste serbe. Sot, VLEN sillet si opozitë brenda qeverisë, ndërsa ‘Bota Serbe’ vepron lirshëm në çdo cep të shtetit”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët

“BDI paralajmëron se ky standard i dyfishtë, ku për marrëdhëniet me Bullgarinë hapet panik kombëtare, ndërsa për marrëdhëniet me Serbinë mbyllen sytë ndaj revizionizmit historik, rrezikon jo vetëm integritetin shtetëror, por edhe perspektivën euroatlantike të vendit”, shkruan në kumtesën e BDI-së në lidhje me prezencën e “botës” serbe në vend.

Ndërkaq, nga koalicioni VLEN deklarojnë se Aleanca Kombëtare për Integrim, ku bëjnë pjesë BDI dhe ASH, janë të fundit që munden të flasin për këtë temë.

“BDI/AKI me gjysmën e kryesisë në lista të zeza ndërkombëtare nuk kanë as moralin dhe as kredibilitetin të flasin për ‘botën serbe’, sepse Abaz Xhuka i UÇK-së nga korrupsioni përfundoi në Ali Ahmetin e Soravisë. Nëse dikush për dy dekada i ka shërbyer interesave të Serbisë, atëherë janë pikërisht ata që sot bëjnë moral me ‘shqiptarinë’, thanë nga VLEN.

Nga VLEN theksojnë se nuk ekziston “botë serbe”, por sipas tyre, ekziston bota e korrupsionit dhe e katarahurës së 20 viteve pushtet, që shihet në çdo komunë ku ata qeverisin.

Kujtojmë se, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ka kohë që debatohet edhe brenda eksponentëve politikë për prezencën e të a.q. “botës serbe” në jetën politike të vendit. Millorad Dodik, politikani kontrovers serb, kryetar i të a.q. Republika Sërpska, në shënimin e “Shën Savës”, festës nacionale të komunitetit serb, organizuar nga Qendra Kulturore Serbe në Shkup, kishte drejtuar porosi kundër Bashkimit Europian. Dodiku ishte i ftuar special i zëvendëskryeministrit të RMV, Ivan Stoilkoviq.

Raporti nga Parlamenti Evropian, paralajmëron për rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës dhe dënon promovimin e konceptit të një “bote serbe” nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut.

Admin01

Recent Posts

ASH: Në vend të librave, nxënësve u shpërndahen kopje të vjetra dhe të grisura

Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim të thellë për gjendjen alarmante me tekstet shkollore nëpër shkollat…

25 minutes ago

Kosovë/ Sot nis zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale të 12 tetorit

Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të sivjetme do të fillojë sot dhe do të vazhdojë…

36 minutes ago

Shqipëria më afër Evropës, ASH: Urime Shqipëri, Maqedonia e Veriut humbi rrugën drejt BE-së

Presidenca Daneze njoftoi se në praninë e Ministrave të Jashtëm të të gjitha vendeve anëtare,…

43 minutes ago

“Zyra për Diasporën” në Saraj , Ramadani: Mërgimtarët do jenë pjesë e vendimmarrjes dhe projekteve

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për komunën e Sarajit, Blerant Ramadani, ka theksuar…

56 minutes ago

Shqipëria hap kapituj të rinj drejt BE-së, Maqedonia e Veriut ngec te Kajmakçalan

“Këtë të martë, më 16 shtator, Presidenca Daneze e BE-së na fton që, në praninë…

1 hour ago

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut refuzojnë të nbështesin rezolutën për Palestinën

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ishin mes 12 vendeve që abstenuan në votimin e Asamblesë…

1 hour ago