Sekretari i përgjithshëm i ASH-së, Blerant Ramadani deklaroi për INA se BDI po bën gjithë atë zhurmë mashtrimi të shtyrë nga frustracioni i humbjes së privilegjeve personale, dhe asnjëherë nga ato kombëtare.
“Po te ishte BDI-ja e kaq e zëshme ndaj kërkesave të shqiptarëve derisa ishte në pushtet, gjendja jonë si komb në këtë shtet do të ishte shumë më e mire. Por ata janë të zëshëm sot ndaj nesh sepse janë në opozitë, të shtyrë nga frustracioni i humbjes së privilegjeve personale, asnjëherë nga ato kombëtare. Ata ka qenë pjesë e skenës politike për një kohë të gjatë dhe pavarësisht disa arritjeve, duhet pranuar që shumë çështje thelbësore për shqiptarët kanë mbetur të pazgjidhura ose janë trajtuar në mënyrë gjysmake”, theksoi për INA, Blerant Ramadani.
Sipas tij, problemet e përfaqësimit të barabartë, zhvillimit ekonomik në zonat shqiptare, dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve në sistemin shtetëror janë disa nga sfidat që BDI-ja ka pasur në duar dhe nuk i ka adresuar në mënyrë të plotë.
“Ne si VLEN ecim para, me realizimin e synimeve tona politike, që nuk janë aspak personale. Gabimet dhe dështimet e BDI-së brenda dy dekadave të kaluara janë sfida me të cilat përballemi dita ditës edhe sot, por jemi të vendosur fuqimisht jo vetëm ato ti përmirësojmë, por edhe të avancojmë shumë çështje tjera më tej. Akuzat që po bëhen ndaj nesh janë thjesht përpjekje për të shmangur vëmendjen nga këto probleme reale dhe për të mbajtur status quo-në. Në vend që të përqendrohemi te akuzat, ne jemi këtu për t’u fokusuar në zgjidhjet e qëndrueshme që do të çojnë drejt një të ardhmeje më të mirë për shqiptarët në vendin tonë”, deklaroi Ramadani.(INA)