Zëvendësministri i Bujqësisë, Flakron Bexheti, mori pjesë në manifestimin tradicional “Dita e Patates së Vices”, një ngjarje që promovon një prej produkteve më të njohura dhe tradicionale të fshatit Vicë të Tetovës. Patatja e Vices është një produkt i njohur jo vetëm në rajon, por edhe përtej, duke qenë një simbol i traditës bujqësore të zonës së Malësisë së Sharrit në Tetovë.
Gjatë fjalimit të tij, Bexheti premtoi investime kapitale në bujqësi për Malësinë e Tetovës, me synimin për të forcuar ekonominë rurale dhe për të rritur kapacitetet prodhuese të fshatarëve të zonës. Ai theksoi se një nga prioritetet e tij do të jetë ribrendimi i produkteve tradicionale bujqësore të zonës, si patatja dhe produktet e tjera karakteristike, për t’i sjellë ato në tregje më të gjera dhe për të rritur konkurrencën e tyre në tregje të ndryshme.
“Ne do të investojmë në teknologji moderne dhe në ndihmën për bujqit e Malësisë së Tetovës, për të siguruar që produktet e tyre të kenë vlerë të shtuar dhe të jenë të konkurrueshme në treg. Produktet tradicionale si patatja e Vices kanë një potencial të madh dhe me mbështetje të duhur, ato do të shndërrohen në një burim të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të zonës,” tha Bexheti.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e përfshirjes së rinisë në sektorin bujqësor, duke premtuar mbështetje për të rinjtë që duan të investojnë dhe të punojnë në këtë fushë, duke krijuar mundësi për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në zonat rurale.