Smart News

BDI: VLEN vegël e VMRO për të sulmuar regjistrimin dhe gjuhën shqipe

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj, siç e cilëson, një strategjie të re të orkestruar nga partitë maqedonase VMRO-DPMNE dhe ZNAM, përmes bashkëpunimit me partitë e vogla shqiptare të mbetura nga koalicioni VLEN, me qëllim që të zhbëhet barazia ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.

Në një komunikatë për media, BDI shpreh “shqetësim të thellë” për atë që e quan një “fushatë të rrezikshme dhe të paprecedentë” kundër procesit të regjistrimit të popullsisë – një element kyç për funksionimin demokratik dhe multietnik të shtetit.

“Po shohim një model të rrezikshëm që po përsëritet me një skenar të qartë,” thuhet në reagimin e BDI-së, duke kujtuar rastet e mëparshme kur, sipas partisë, sulmet ndaj institucioneve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit kanë ndjekur një logjikë të përsëritur: fillimisht relativizim nga partitë shqiptare të vogla, më pas anulim nga partitë maqedonase.

BDI përmend shembuj konkretë si Balancuesin administrativ, përdorimin e gjuhës shqipe dhe tashmë regjistrimin e popullsisë – të gjitha, sipas tyre, nën shënjestër për të dobësuar themelet e barazisë.

“BDI e denoncon me forcë këtë qasje si një strategji të mirëkoordinuar për të dobësuar themelet e barazisë në këtë shtet,” thekson komunikata, duke i bërë thirrje qytetarëve shqiptarë dhe të gjithë faktorëve të përgjegjshëm ta kuptojnë rrezikun e këtij modeli të ri që prodhon ndasi, mohim dhe tension.

Partia thekson se do të vazhdojë të qëndrojë në mbrojtje të barazisë, përfaqësimit dhe vlerave të Marrëveshjes së Ohrit, e cilësuar si themeli i paqes dhe bashkëjetesës ndëretnike në vend.

Exit mobile version