Është e turpshme dhe njëherazi alarmuese që një nga koordinatorët kombëtarë për komunikim dhe media në kabinetin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, i paguar me paratë e qytetarëve, e ka kthyer misionin e tij kryesor në sulm të pandërprerë ndaj Tiranës zyrtare dhe institucioneve shqiptare. Kështu thuhet në reagimin e BDI-së, ndërsa e kanë fjalën për statusin e fundit në rrjetet sociale të koordinatorit të Qeverisë për media, Latif Arifi, njëherësh pronar i portalit pro-qeveritar Fol.mk, i cili me mllef dhe nxitje të urrejtjes, shkruan se “propagandë e orkestruar kundër VLEN-it dirigjohet nga makineria e (Edi) Ramës dhe megafonat e tij në Tiranë e Shkup”.
Një funksionar që paguhet me rrogë nga Zyra e kryeministrit, reagon BDI, në vend që të ndërtojë ura bashkëpunimi, përdor gjuhën e fyerjes, të përçarjes dhe të sulmit të hapur ndaj shtetit shqiptar dhe partnerëve tanë strategjikë.
“Kjo nuk është më thjesht një dalje e pakontrolluar e një individi të vogël, por është një provë e qartë politike që ngre pyetje serioze për vetë Qeverinë: A është ky qëndrimi zyrtar i Mickoskit ndaj Tiranës? Janë këto fyerje dhe shpifje produkt i linjës shtetërore të kabinetit të tij? Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk do të pranojnë kurrë që njerëz të punësuar në institucione shtetërore të shndërrohen në megafonë të VMRO-së për të hedhur baltë mbi Shqipërinë dhe mbi institucionet shqiptare”.
BDI, vijon më tej reagimi, ka qenë dhe mbetet ura e bashkëpunimit me Tiranën, Prishtinën dhe partnerët ndërkombëtarë. “Për këtë arsye, kërkojmë qartësi dhe përgjegjësi: A flet ky koordinator në emër të Qeverisë? Nëse jo, pse Mickoski e mban në zyrën e tij dhe e lejon të flasë në emër të shtetit? Shqiptarët meritojnë përgjigje të drejtpërdrejta, jo heshtje të qëllimshme”.
Ndryshe, Arif Latifi, prej vitesh ka qenë pjesë e Aleancës për Shqiptarët, fillimisht me Ziadin Selën, për t’iu bashkuar Arben Taravarit, ndërkohë që së fundmi i është bashkangjitur grupit të zëvendëskryeministrit Arben Fetai. Në kohën kur Taravari ishte pjesë e VLEN-it, Latif Arifi ishte propozuar nga ASH për anëtar në Këshillin Programor të RTVM, megjithatë u diskualifikua pasi nuk kishte dorëzuar diplomë fakulteti. Dhe, dy javë më parë, ai u emërua koordinator në Qeveri – përgjegjës për media. Është pronar dhe themelues i portalit pro-qeveritar Fol.mk, ndërsa njihet në opinion me qëndrime edhe kundër mediave dhe gazetarëve që marrin guximin ta sulmojnë Qeverinë VMRO-VLEN. Së fundmi, në statusin më të ri, ai vë në dyshim edhe “kërcënimin” dhe dëmtimin e qëllimshëm të veturës së gazetarit Naser Selmani.