BDI-ja nuk ka faj që është fajtore!

e postuar më at 21:10
132 0

SHKRUAN: ARBEN TARAVARI

Shteti i varfër dhe zullumqar i Maqedonisë ka prej vitesh që na dhuron skena të pabesueshme politike, qeveri hajdute, pushtetarë të cilët e lënë pushtetin vetëm me luftë, dhe pastaj përfundojnë në arrati. Aktualisht situata është dramatike sepse tradita e partive omnipotente (të gjithëpushtetshme), mbahet me fanatizëm nga BDI-ja. Njësoj si një monarki e sukseshme dhe e vetmja e llojit të saj në Rajon, BDI-ja, vazhdon të qëndrojë në kupolë të pushtetit. Duke ditur situatën e partnerëve të domosdoshëm për bashkëqeverisje, ajo ka pasur si të tillë parti maqedonase, të cilat janë përzënë me protesta nga qeveria, por ama BDI-ja ka arritur të mbetet e paprekshme. Çfarë ka kaq të veçantë kjo parti?! Cili është sekreti që e mban si talisman, si amanet në pushtet?! Dihet që kjo parti derivoi fillimisht nga lufta e cila ishte e drejtë, luftë që u bë për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar ndaj shtypjes dhe represionit të maqedonasëve të asaj kohe. Mirëpo tranzicioni nga mali në zyrë, i funksionarëve të kësaj partie të vjetër, dukej se ishte paralelisht edhe një metamorfozë, ndryshim rrënjësor për ta. Historia do të tregonte shumë shpejt se partia me themele të forta patriotike, do të harronte shumë shpejt se përse ishte votbesuar nga shqiptarët, dhe do të bënte koalicione vëllazërore me një pjesë të madhe të atyre që dikur i kishte drejtuar tytën e pushkës në mal.

Shumë shpejt udhëheqësit e kësaj partie, të ngjitur tashmë në malin e pushtetit, do të fillonin një jetë luksi e pushteti, që do ta ndante tërësisht dhe përfundimisht nga realiteti i dhimbshëm i popullit shqiptar. Thonë se tradhëtia ndodh vetëm kur mashtrohesh nga ata që i ke besuar shumë. Kështu populli shqiptar u ndje i tradhëtuar nga kjo parti e cila u ndërtua mbi gjakun e njerëzëve që u derdh për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve, dhe jo për pasurimin e pafund të një grushti të vogël prej tyre, si ishin dhe janë krerët e BDI-së. Duke ndjerë haptazi urrejtjen e popullit shqiptar, BDI-ja filloi të paramendonte se sipas zgjedhjeve politike, do të duhej të linte luksin ky ishte zhytur. Abraham Linkoln, presidenti i 16-të amerikan, ka thënë një nga shprehjet më të mençura të historisë, që është: “pothuajse të gjithë njerëzit mund t’i rezistojnë fatkeqsive, por nëse do të testosh karakterin e dikujt, atëherë jepi pushtet”! Këto fjalë të arta të cilat duhet të gdhenden në zyrën e çdo funksionari, ishin edhe provimi ku ra BDI-ja. E paaftë për të menaxhuar joshjen ndaj pushtetit dhe aq e kthjellët sa të kuptonte se shqiptarët nuk e donin më, kjo parti filloi një sërë manovrash kriminale me qëllim mbajtjen e pushtetit me çdo kusht. Mashtrimet e saj që fatkeqsisht ishin shpresë për të varfërin, ishin metoda e parë, katapultimet e qëmdrimeve ishin manovra e dytë. Nga podiumet e partisë BDI dëgjoje “Zaedno mozheme povekje” dhe papritur po nga e njëjta parti dëgjoje “UÇK UÇK”. Dalldisjet e saj për pushtet kaluan çdo nivel, vjedhja e votave, manipulimi i rezultateve, shantazhimi i qytetarëve me vende pune, pjesëmarrja evidente në krim dhe po aq haptazi mohimi i krimit, u kthyen në një sjellje standarte të BDI-së. Njësoj si kartelat meksikane të El Majos apo El Çapos, ashtu mund të përkufizohej dhe sjellja anti-popullore e El BDI-së. Gjithsesi e vërteta, e drejta, sado të vështira që janë ndonjëherë për të ardhur, po aq të sigurta janë që vijnë. Në këtë kontekst realiteti po tregon që partisë simbol të shtetit të koruptuar i është shtrënguar laku ndjeshëm.

Në zgjedhjet e fundit parlamantare Opozita mori një numër aq të madh deputetësh sa nëse BDI-ja nuk do të kishte manipuluar rezultatin me forma kriminale, tani me siguri do të ishte në salla gjykatash për t’u mbrojtur nga akuzat e pafundme që rëndojnë në kurriz të funksionarëve të saj, funksionarë të cilët dallohen nga shtēpitë supermilionëshe, nga rrugët e rregulluara vetëm tek lagjet e tyre, nga koleksionet e makinave super të shtrenjta, nga restorantet apo shkollat private, ndërkohë që pjesa tjetër e popullit trajtohet nga këta pushtetarë si mbetje urbane. BDI-ja e ndodhur në buzë të greminës ama e di shumë mirë që tani edhe Zoti që i fal të gjithë, duket se me të është i inatosur. Kjo parti e dështuar në sprovën e pushtetit, e di se tashmë mjafton vetëm një votë, një e vetme e shtuar në lumin e furishëm votues kundra saj, dhe e çon në gjykatë. Çfarë bën BDI-ja për këtē gjëndje?! Shton edhe më shumë lajthitjen e saj. Kështu deklaron pa asnjë drojë se qeveria ka gabuar dhe dështuar në arsim, në mjekësi, në menaxhimin e vaksinave të cilat duket se do të vijnë kur ky popull të ketë fituar imunitetin e turmës që ka faturë të tmerrshme në vdekje, BDI-ja e ndodhur në qeveri e bën horr çdo gjë të saj, dhe ti mendon se fjalia përmbyllëse do të jetë: “ndaj të nderuar votues, e sidomos ju shqiptarë që ju përdorëm mish për top, na falni, na i bëni Hallall, ne po japim dorëheqjen se jo vetëm kemi dështuar por mbi të gjitha jemi turpëruar”…mirëpo…ajo çfarë dëgjon nga partia e vetshpallur fajtore më në fund është fjalia delirante që përbën diagnozë: fajin që jemi fajtorë e ka Opozita…dmth, fajin që kemi dështuar e ka Opozita…ky justifikim ndodh nga fëmijët e moshës 3-5 vjeç, të rritur në kushte specifike frustracioni ose të lindur me anomalitete cerebrale, përndryshe tek të gjithë individitët mendërisht të shëndoshë, e sidomos tek partia që mban peng shqiptarët prej afro 20 vjetësh, kjo fjali është Tallje Fundshpine (për të mos përdor ndonjë term vulgar), pra është ofendim i intelligencës së njerëzëve!

Dihet se fundet, mbarimet, përfundimet janë të vēshtira për ata të cilët nuk i kanë imagjinuar kurrë. Të nxjerrësh BDI-në nga pushteti është si ta vrasësh atë, ndaj këto lajthitje janë krejtësisht të kuptueshme, por duhet marrë seriozsisht shëndeti i tyre mendor sepse sa kohë janë në pushtet dëmi bëhet drejt e në popull, dhe ne e dimë se BDI-ja e ka pasion të vjetër vjedhjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga shtëpitë e tyre. Duke pritur me durim ditën e zgjedhjeve që duket se më shumë do të jetë Dita e Largimit të Madh, urojmë që nëse ka mbetur ndonjë fije e hollë kthjelltësie tek kjo parti, le ta përdorin për të gjetur avokatë dhe psikologë të mirë!

nga kategoria