BBC: A ka rrezik për mpiksje gjaku nga vaksina e AstraZeneca-s?

e postuar më at 10:52
94 0

Mpiksje të pazakonshme të gjakut në tru janë vërejtur te disa persona pasi e morën vaksinën e AstraZeneca-s dhe Oksfordit. Rastet e mpiksjes së njohur si CVST (nga anglishtja: cerebral venous sinus thrombosis – tromboza venoze cerebrale e sinuseve) i kanë shtyrë disa shtete, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Kanadanë, që ta kufizojnë grupin e personave që mund ta marrin këtë vaksinë, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Ilaçeve thonë se përfitimet nga kjo vaksinë ia marrin anën çfarëdo rreziku.

James Gallagher, BBC; përktheu: Nasuf Abdyli

Shkencëtarët dhe rregullatorët për siguri shëndetësore përreth botës po përpiqen të kuptojnë nëse vaksina vërtet është duke i shkaktuar këto mpiksje, se sa i madh mund të jetë ndonjë rrezik dhe çfarë mund të nënkuptojë kjo për programet e vaksinimit, transmeton Gazeta Express.

A po shkakton vaksina mpiksje të gjakut?

Për momentin, nuk e dimë.

Agjencia Evropiane e Ilaçeve, që i ka shqyrtuar të dhënat e sigurisë, thotë se kjo nuk është vërtetuar, por është e mundshme.

Kjo agjenci duhet të zbulojë nëse rastet e raportuara të mpiksjes janë një efekt anësor apo rastësi që ka mundur të ketë ndodhur në mënyrë të natyrshme. Kjo është veçanërisht e vështirë, kur bëhet fjalë për raste të rralla. Në anën tjetër, nëse një për çdo 10 mijë njerëz do të kishte mpiksje serioze të gjakut, atëherë përgjigjja do të ishte e qartë.

Unë kam biseduar me shkencëtarë të respektuar, disa prej të cilëve janë skeptikë, ndërsa të tjerët gjithnjë e më të bindur.

Disa e theksojnë natyrën shumë të pazakontë të mpiksjes si shenjë që diçka mund të jetë duke ndodhur. Ato (mpiksjet) shpesh po shfaqen në të njëjtën kohë me nivelin e ulët të trombociteve, që janë ndër përbërësit kryesorë të gjakut të mpiksur, dhe antitrupave që kanë lidhje me çrregullime të tjera të mpiksjes e të cilët po shfaqen në gjak.

Të tjerët thonë se nuk ka dëshmi të mjaftueshme dhe se rastet e raportuara ka gjasë të jenë nga Covid-i, që edhe vetë është i lidhur me mpiksjen e pazakontë.

Sa i madh mund të jetë rreziku?

Mbetet tërësisht e mundshme që rreziku të jetë zero, sepse nuk është vërtetuar se vaksinat shkaktojnë mpiksje të gjakut në tru.

Instituti “Paul Ehrlich” në Gjermani ka raportuar 31 raste të mpiksjes së llojit CVST dhe nëntë të vdekur nga 2.7 milionë njerëz të vaksinuar në këtë shtet.

Megjithatë, të dhënat më të reja në Britaninë e Madhe japin shumë më pak raste të mpiksjes, vetëm pesë, pavarësisht vaksinimit të më shumë se 11 milionë personave.

Agjencia Evropiane e Ilaçeve, e cila i ka vlerësuar të dhënat përreth botës, vlerëson se ekziston një rrezik prej një në 100 mijë për mpiksje CVST te personat nën moshën 60-vjeçare, të cilët e kanë marrë vaksinën e kompanisë AstraZeneca.

Shefi për vëzhgim të sigurisë i kësaj agjencie, Dr. Peter Arlett, tha se kjo shifër është më e madhe sesa është pritur të shihet.

Sidoqoftë, është e paqartë se cili është sfondi i vërtetë i këtyre mpiksjeve të gjakut në tru. Vlerësimet dallojnë nga rreth dy raste në një milion njerëz deri në gati 16 raste në një milion njerëz në kohëra normale dhe vetë koronavirusi mund t’i shkaktojë ato, gjithashtu.

Pse ekziston ky dallim mes Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë?

Ju mund të prisni që t’i shihni shifrat e njëjta të mpiksjeve CVST në shtete të ndryshme, nëse ato njëmend janë shkaktuar nga vaksina. Megjithatë, Britania dhe Gjermania kanë shifra shumë të ndryshme mes vete.

Një ndër arsyet është që grupmoshat e vaksinuara në këto dy vende janë të ndryshme.

Britania më shumë i ka vaksinuar të moshuarit, ndërsa Gjermania ishte një ndër vendet që fillimisht refuzoi ta përdorte këtë vaksinë te personat mbi moshën 65-vjeçare për shkak të mungesës së të dhënave testuese për këtë grupmoshë. Në vend të kësaj, 90 për qind e gjermanëve që e kanë marrë vaksinën e AstraZeneca-s mendohet të jenë nën 60 vjeç.

Në përgjithësi, efektet anësore kanë prirje për të qenë më të ashpra te personat më të rinj, sepse ata kanë reagim më të fuqishëm imunitar, për të cilin është spekuluar si arsye pse Britania e Madhe ka pasur më pak raste të mpiksjes.

Megjithatë, mpiksjet CVST janë në mënyrë të qenësishme më të zakonshme te gratë e reja dhe marrja e ilaçeve e rrit rrezikun. Prandaj, nivelet e natyrshme të rrezikut – qofshin njerëzit të vaksinuar apo jo – mund të kenë një rol, gjithashtu.

Veçimi i tërë kësaj është sfidues, por Agjencia Evropiane e Ilaçeve ka thënë se nuk ka gjetur faktorë specifikë të rrezikut si mosha, gjinia apo e kaluara mjekësore.

A është e sigurt vaksina e AstraZeneca-s?

Asgjë në mjekësi nuk është plotësisht e sigurt dhe madje edhe terapitë që janë shumë helmuese përdoren në rrethanat e duhura.

Ilaçet e kimioterapisë kanë efekte anësore brutale, por janë shumë të çmueshme; madje edhe ilaçet e zakonshme kundër dhimbjes, që mund të merren pa përshkrimin e mjekut, si paracetamoli dhe ibuprofeni, kanë efekte anësore të ashpra, por ato thjesht janë jashtëzakonisht të rralla.

Vendimi i vërtetë gjithmonë ka të bëjë me atë se a peshojnë përfitimet më shumë sesa rreziqet.

Kjo është veçanërisht e vështirë të vlerësohet në një pandemi. Normalisht, ilaçet do të mbështeteshin në “parimin e parandalimit” për ta vërtetuar sigurinë e duhur para se një ilaç t’i jepet një numri të madh të njerëzve. Por në pandemi, çfarëdo vonimi i vaksinimit të njerëzve kushton me jetë.

Duke u mbështetur vetëm në të dhënat e Gjermanisë, nëse vaksinoni një milion njerëz, duhet të prisni që 12 njerëz të kenë mpiksje gjaku dhe katër prej tyre të vdesin.

Por nëse një milion 60-vjeçarë infektohen me koronavirus, atëherë rreth 20.000 prej tyre do të vdisnin nga Covid-19. Nëse një milion 40-vjeçarë preken nga koronavirusi, atëherë rreth 1.000 prej tyre vdesin. Për ata që janë në të tridhjetat, shifra do të ishte prej disa qindrash të vdekur.

Përfitimet nga vaksinimi qartazi rriten me rritjen e moshës dhe shtetet si Gjermania dhe Kanadaja kanë lejuar që vaksina e AstraZeneca-s të përdoret në grupmoshat më të vjetra. Këto vendime gjithashtu do të varen nga vaksinat alternative që janë në dispozicion në ato vende dhe nga grupet e popullsisë që ende kanë nevojë të imunizohen.

Bota është duke i analizuar të dhënat në mënyrë intensive, por qartësia ende do të marrë kohë.

nga kategoria

Karaxhovski: Java e ardhshme kritike

Posted by - 26/03/2021 0
Kryetari i Komisionit për Sëmundje Infektive Zharko Karaxhovski në emisionin “Vetëm intervistë” në televizionin Kanal 5 theksoi se java e…