Bajram i trishtë!

e postuar më at 13:24
16 0

Dr. Arben TARAVARI

Tre ditët e festës së Bajramit, shto edhe gjallërinë që kanë sjellë mërgimtarët e kthyer në shtëpi, i kanë dhënë vendit një pamje krejtësisht tjetër. Duket sikur kjo verë është një dasëm e madhe, shoqëruar me kakofoni muzikore, por gjithsesi me Lumturi. Mirëpo e ndjej për detyrë të flas për të gjithë ata që fshihen pas kësaj perdeje lumturie, që nuk janë aspak të lumtur dhe që fatkeqësisht janë Shumica! Duke dashur që këto shkrime të jenë zëri i atyre që nuk dëgjohen dot as nga qeveria e shurdhër, do përcjell ditën e Bajramit të njërit prej atyre që takova në ditët e mia të aksionit “Të Gjithë Baras, Të Gjithë Gostivaras”.

Kështu, ishim në një nga fshatrat tanë, po bisedonim me banorët aty me qëllim që të vendosnim bashkë programin e 4 viteve të ardhshme. Nga mesi i bisedës ia behu një djalë i vogël, shkoi i pëshpëriti diçka në vesh njërit prej burrave që ishte e ulur e po kuvendonte, e ky i fundit ndryshoi në fytyrë. Si neurolog jam i stërvitur të dalloj lehtësisht gjendjet emocionale të individit dhe kuptova menjëherë shqetësimin që kishte mbërthyer këtë burrë e mik të mirë, por që për vendimin tim, sigurisht që do ia ruaj anonimatin. Megjithëse thinjat dhe dinjiteti më shumë se thinjat, përpiqeshin të fshihnin me burrëri atë që kishte marrë vesh, unë e kuptova se nuk po e mbante vendi.

Falë Zotit nga takimi nuk kishte mbetur edhe shumë. U përshëndetëm me banorët e fshatit, dhe burri iku menjëherë. Unë shpejtova pas tij, dhe i thashë se e kisha vënë rè se një djalë i vogël i kishte ardh dhe ia kishte ngritur rehatin. Burri u djersit edhe më, fshiu ballin sikur donte të fshinte lotët, dhe m’tha- Faleminderit Kryetar! Faleminderit që interesohesh! Mirë jemi falë Allahut!

Unë qesha dhe nuk ika, prisja që ai të vazhdonte. E pashë edhe më shumë në siklet,

– A mund të ndihmoj? Përsërita unë duke e thirrur në emër. Një tremor i lehtë iu shfaq në duar.

– Po ti je kryetar e ke hallet e tua- m’u përgjigj dhe nuk po dinte si të ikte nga unë. Mendova me vete se çfarë masakre kanë bërë partitë në pushtet me popullin. Aq vjedhin, aq mashtrojnë e aq nuk punojnë për njerëzit, sa këta të fundit i votojnë për t’i shërbyer, por nuk guxojnë ta mendojnë se mund të kërkojnë ndonjë gjë prej tyre. Si ky i shkreti burrë që mendonte se unë duhet të kisha hallet e mia, pa kuptuar që një nga detyrat e mia ishte t’përpiqesha maksimalisht ta ndihmoja.

– Dëgjo- thashë – vërtet kam edhe dy vizita të tjera, e më pas takim me një ambasador, por po nuk m’the çfarë ke nuk iki. Tani ti e ke në dorë, ose më tregon hallin tënd ose më nxjerr jokorrekt me të tjerët…këtë të fundit e thashë me një buzëqeshje për të ç’tensionuar situatën.

– Para tre ditësh gruaja ka rënë nga karrigia, kishte dhimbje shumë, po pastaj i kaloi, ama qe tash paska zënë krevatin- tha me sytë përdhe.

Pa asnjë vonesë i thashë këtyre të ekipit se kthehesha menjëherë, dhe u drejtuam në shtëpi të tij. Kur hyra brenda po shikoja një nga pamjet më tronditëse që Zoti më ka sprovuar. Në një dhomë të pastër por me shumë pak orendi, rrinte e shtrirë në krevat një grua e cila dergjej nga dhimbjet. Në kokë të saj rrinte një vajzë rreth të 12-ve e paralizuar e që qante në heshtje, më pas 2 djem ndoshta nga 5 ose 7 që shikonin nënën e tyre të hutuar, dhe një grua që mora vesh se ishte kojshia. Vajza sa e pa babën e vet i tha – po vdes nana. Unë e qetësova dhe u afrova tek shtrati i të sëmurës. Kuptova menjëherë se gruaja kishte thyer krahun dhe kishte tre ditë që duronte ashtu.

Urgjentisht e dërguam në spital. Gjithçka u qetësua e gruaja falë Zotit është më mirë! Ditën e Bajramit para derës së shtëpisë pashë burrin që priste poshtë. E ftova të vinte lart.  Më tha se kishte ardhur të më falënderonte se pavarësisht që ishte i varfër, nder kishte boll e ndaj ishte aty. U ul si me siklet dhe si fillim biseduam gjëra të zakonshme. Pastaj – tha – do të tregoj drejt o kryetar, unë kam qenë me atë tjetrin. E tha me zor. Më tregoi se kishte qenë me partinë tjetër. Se ata i kishin premtuar se do ia gjenin paret që ta operonin vajzën jashtë. I rrudhur në ballë tha se jo vetëm e kishin harruar premtimin, por ky i kishte kujtuar e kishin përzënë nga dyert e zyrave. Ai pastaj kishte hequr dorë dhe s’i kishte dhënë votën, e ata për hakmarrje i kishin hequr pensionin e vajzës si invalide. Edhe gruaja nuk kishte shkuar në spital se për ata edhe dy denarë ishin mirë të kurseheshin.

Na ndihmojnë ata të kurbetit – tha, por edhe ata kanë hallet e tyre. Në fshat kemi njerëz të mirë, por të varfër! Nuk di si do na shkoi halli po Vallahi po na duket minuta orë nga varfëria e sikleti o miku im – tha ky burrë i mirë, fatkeq – sepse ashtu si ne të gjithë, ka në kokë një qeveri të shurdhët, me parti që dënojnë pa mëshirë kë e kanë kundër. Ky burrë është fotografia e vërtetë e këtyre festave të trishta në Maqedoninë e vitit 2021…

T F

nga kategoria