Avokatët ndërpresin bojkotin ndaj dy prokurorive të Kosovës

e postuar më at 21:10
67 0

Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës, ka marrë vendim sot që të ndërpritet bojkoti në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe në përfaqësimet e avokatëve në Policinë e Kosovës sipas kompetencës së këtyre prokurorive, njofton Insajderi.

Në një njoftim për media nga Oda e Avokatëve të Kosovës është thënë se ndërprerja e bojkotit është bërë pasi që paraprakisht, kryetari i OAK-së, Behar Ejupi së bashku me nënkryetarin Naim Rudari, zhvilluan takime me kryesuesin e KPK-së, Jetish Maloku dhe bashkëpunëtorët e tij, duke arritur marrëveshje për eliminimin e pengesave të qasjes së avokatëve në objektet e sistemit prokurorial.

“Pas disa takimeve, kryetari Ejupi së bashku me kryesuesin Maloku arritën dakordimin ashtu që KPK sot me datë 10 mars 2021 ka hartuar një udhëzim të veçantë për qasjen e avokatëve në objektet e sistemit prokurorial të Kosovës, i cili udhëzim është aprovuar sot nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Udhëzimi në fjalë përcakton qasjen e avokatëve në objektet e sistemit prokurorial në nivel Republike, në atë mënyrë që nuk cenohet dinjiteti i avokatit ndërsa në anën tjetër respektohen procedurat e sigurisë së objekteve të sistemit prokuroria”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e kësaj ode thuhet se gjatë këtyre takimeve janë diskutuar edhe një sërë çështjesh tjera që prekin interesin e drejtpërdrejtë të avokatëve dhe se së shpejti do të punohet në koordinim të ngushtë me KPK-në për zgjidhjen e të gjitha çështjeve që janë në interes të të dy institucioneve por edhe në të mirë të sistemit të drejtësisë në përgjithësi.

nga kategoria