Smart News

ASH: VLEN-i duhet ta dijë se nuk arsyetohen 294 maqedonas të punësuar me vetëm 4 shqiptarë brenda dy javëve

Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga kryetari Arben Taravari, ka reaguar ashpër ndaj asaj që e cilëson si një fushatë të organizuar diskriminimi dhe spastrimi etnik të shqiptarëve nga institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut. Sipas partisë, koalicioni VLEN po përpiqet të mbulojë dështimet politike dhe administrative me njoftime për punësime selektive, duke propaganduar disa punësime të shqiptarëve si suksese, ndërsa realiteti tregon një tablo krejtësisht të ndryshme.

Në reagim Aleanca për Shqiptarët thekson se, pavarësisht njoftimeve të VLEN-it për punësimin e rreth 50 shqiptarëve në institucione si NOMAGAS (8), Dogana (19), MEPSO (15) dhe QSHP (8), numri i maqedonasve të punësuar në dy javët e fundit arrin në rreth 250. Sipas ASH-së, këto shifra janë vetëm një fasadë për të fshehur diskriminimin sistematik dhe largimin e shqiptarëve nga administrata publike.
Të dhënat e publikuara nga Aleanca për Shqiptarët zbulojnë një sërë shkeljesh alarmante:

• Në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari janë punësuar 21 maqedonas dhe asnjë shqiptar.
• Në ndërmarrjen publike “Pyjet e Maqedonisë” në Strugë, 11 shqiptarë janë pushuar nga puna pa shpjegime ligjore.
• Në Policinë e Tetovës, qytet me shumicë shqiptare, janë punësuar 12 maqedonas dhe vetëm 1 shqiptar.
• Në Ministrinë e Financave, nga 40 vende pune të shpallura, 19 u mbushën me maqedonas, ndërsa 21 pozita u anuluan për të shmangur punësimin e shqiptarëve.

ASH-ja tjekson se, që nga qershori 2024, kur VMRO-DPMNE dhe aleatët e saj morën pushtetin, mbi 800 shqiptarë janë larguar ose detyruar të largohen nga administrata publike, si pjesë e një politike të qëllimshme për të krijuar një administratë etnikisht të pastër.
Aleanca për Shqiptarët ka bërë thirrje për:
1. Hetim të pavarur të rasteve të punësimeve dhe largimeve nga puna mbi baza etnike.
2. Ndërprerjen e menjëhershme të politikave të spastrimit etnik në institucionet shtetërore.
3. Përfshirjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë për të monitoruar barazinë në punësim.

“Shqiptarët nuk janë qytetarë të dorës së dytë. Heshtja përballë këtij diskriminimi është bashkëfajësi. Aleanca për Shqiptarët nuk do të heshtë!”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Ky reagim vjen në një kohë kur tensionet politike dhe etnike në Maqedoninë e Veriut mbeten të larta, me opozitën që vazhdimisht akuzon qeverinë për politikanizim të institucioneve dhe shkelje të parimeve të barazisë dhe gjithëpërfshirjes.

Exit mobile version