Aleanca për Shqiptarët, dega në Tetovë, shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për situatën e krijuar në Spitalin Klinik të Tetovës, ku për shkak të një defekti në rrjetin e ujësjellësit aparatet dhe shërbimet janë jashtë funksionit.
Ky skandal i papranueshëm është dëshmi e papërgjegjësisë totale të institucioneve shtetërore. Qytetarët e Tetovës dhe të rajonit nuk mund të mbeten peng i paaftësisë së pushtetit lokal dhe qendror për të garantuar kushtet elementare për funksionimin e një spitali klinik.
Është e turpshme dhe kriminale që pacientët sot të mbeten pa trajtim mjekësor për shkak të neglizhencës në mirëmbajtjen e ujësjellësit dhe mungesës së koordinimit institucional. Spitali heq dorë duke e hedhur përgjegjësinë te ujësjellësi, ndërsa qytetarët mbeten viktimë. Ky është realiteti i një shteti që nuk ka as plan emergjent dhe as përgjegjësi ndaj shëndetit publik.
ASH – Tetovë kërkon ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e defektit dhe mbulimin e dëmeve materiale në spital, duke paralajmëruar se çdo vonesë rrezikon seriozisht shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Për Tetovën dhe rajonin, Spitali Klinik është institucioni kryesor shëndetësor. Papërgjegjësia që po shohim nuk do të tolerohet më. Qeveria dhe pushteti lokal duhet të japin përgjegjësi për këtë kaos. Ne nuk do të lejojmë që qytetarët të trajtohen si të pavlerë në shtetin e tyre.
Aleanca për Shqiptarët bën thirrje për transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe rikthimin urgjent të normalitetit në Spitalin Klinik të Tetovës
Aleanca për Shqiptarët, dega Tetovë