Smart News

ASH-Taravari: Angelov zbulon marrëveshjen, VLEN hesht për Branitellat dhe mashtron për UÇK-në

Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Arben Taravari ka reaguar pas deklaratës së fundit të Stojançe Angelovit, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe njëherësh partner i koalicionit qeveritar, i cili ka zbuluar prapaskenat politike rreth ligjit për “Branitellat”.

Sipas ASH-së, deklarata e Angelovit konfirmon pazaret politike që bëhen pas shpinës së shqiptarëve. Angelov ka pranuar se miratimi i ligjit për “Branitellat” është shtyrë përkohësisht vetëm për të mos e dëmtuar koalicionin VLEN në prag të zgjedhjeve lokale. “Ky nuk është thjesht një manovrim politik, por një tradhti e qartë ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Partia opozitare thekson se për vite të tëra, shqiptarët kanë kërkuar zgjidhje të drejtë për statusin e ushtarëve të UÇK-së, të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, ndërsa tashmë është e qartë se premtimet e bëra në Kuvend nga deputeti Adnan Azizi, se “ligji për Branitellat nuk do të kalojë kurrë”, kanë qenë vetëm mashtrime për të qetësuar opinionin publik shqiptar.

ASH thekson se ky është një ndër arsyet kryesore pse ka braktisur qeverinë që e konsideron si të padrejtë dhe të ndërtuar mbi diskriminim etnik, ku shqiptarët shihen vetëm si dekor.

“VLEN hesht edhe pas deklaratës së Angelovit, sepse nuk ka më çfarë t’u thotë shqiptarëve. Edhe mashtrimet kanë një fund,” vijon reagimi, ku theksohet se tashmë është dëshmuar se VLEN nuk përfaqëson zërin e shqiptarëve, por interesat e një pakice të pushtetit.

Aleanca për Shqiptarët e përmbyll reagimin duke akuzuar VLEN-in se është në qeveri jo për parime, por për privilegje, duke heshtur përballë ligjeve që, sipas saj, lartësojnë strukturat që luftuan kundër shqiptarëve.

Exit mobile version