Smart News

ASH: Një vit qeveri – një vit dështim në rrugën drejt BE-së

Përvjetori i parë i Qeverisë Mickoski, i shënuar me dështime në integrimin evropian dhe përfaqësimin e shqiptarëve. Në një reagim, Aleanca për Shqiptarët ka shprehur zhgënjimin e thellë për njëvjetorin e formimit të Qeverisë së udhëhequr nga Hristijan Mickoski, duke theksuar se ky vit nuk solli përparim, por stagnim dhe zvarritje në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Ky vit qeverisës është karakterizuar nga mosrealizimi i zotimeve thelbësore që ishin pjesë e marrëveshjes mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN, veçanërisht për miratimin e ndryshimeve kushtetuese brenda gjashtë muajve të parë,” thuhet në reagimin e ASH-së.

Sipas tyre, një nga arsyet kryesore për largimin nga kjo qeveri ishte pikërisht dështimi për të përmbushur këtë zotim politik, i cili ishte edhe premtim i drejtpërdrejtë ndaj shqiptarëve në vend.

“Siç ka theksuar me të drejtë lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ky dështim përbën jo vetëm shkelje të marrëveshjes politike, por edhe një zhgënjim të thellë për qytetarët shqiptarë,” thuhet më tej në deklaratë.

Aleanca vlerëson se qeveria aktuale ka humbur orientimin evropian, duke mos bërë asnjë hap konkret në përmbushjen e kritereve të BE-së. Në vend të reformave dhe përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve, sipas AS-së, koalicioni qeverisës i është kthyer retorikës boshe dhe premtimeve të pambuluara.

“Koalicioni VLEN, në vend që të jetë faktor ndryshimi, ka zgjedhur heshtjen përballë shkeljeve të premtimeve dhe dështimeve të njëpasnjëshme,” thekson Aleanca, duke akuzuar partnerët e mëparshëm se kanë zëvendësuar premtimet për reforma me kompromise politike që ulin aspiratat për barazi të shqiptarëve.

Në përmbyllje, ASH jep një paralajmërim të qartë:

“Kjo nuk është vetëm një dështim i një qeverie – është një sinjal alarmi për gjithë shoqërinë dhe për partnerët ndërkombëtarë se rruga drejt BE-së po bllokohet qëllimisht.”

Aleanca për Shqiptarët rithekson përkushtimin për të qenë “zëri i paepur për një të ardhme me dinjitet, ku premtimet mbahen dhe interesi kombëtar nuk përdoret si mjet për marketing politik.

Exit mobile version