Aleanca për Shqiptarët i është përgjigjur propozimit të VMRO-DPMNE-së, që ndryshimet kushtetuese të bëhen sipas modelit kroat. Sipas tyre zgjidhja që ofrohet nga ky subjekt politik në lidhje me preambulën është mosnjohje absolute e realitetit apo lajthitje e qëllimshme për efekte elektorale.
“Fakti që në VMRO po mendohet dhe bisedohet për ndryshime kushtetuese është gjë e mirë për ata si subjekt politik, por edhe për vendin. Nga ana tjetër, zgjidhja që ofrohet nga ky subjekt politik në lidhje me preambulën është mosnjohje absolute e realitetit apo lajthitje e qëllimshme për efekte elektorale. Koha e dominancës së një etniteti në Maqedoninë e Veriut ka përfunduar një herë e përgjithmonë dhe prapakthim në atë gjendje nuk mund të ketë. Maqedonasit janë 54%, ndërsa shqiptarët 30% dhe së bashku nuk bëjnë përqindjen e kroatëve që janë mbi 90%. Cilësimi i shqiptarëve në propozimin e tyre si pakicë kombëtare edhe një herë tregon se mentaliteti i tyre është kthyer dekada pas dhe kjo është për keqardhje. Partia politike VMRO-DPMNE duhet të tejkalojë interesat e tyre elektorale dhe të ngrihet në detyrën që i takon duke përfshirë edhe gatishmërinë e liderit te saj të shprehur publikisht, në heqjen e terminologjisë fyese për gjuhën e bashkëqytetarëve të tyre, në këtë rast gjuha shqipe”, thuhet në reagimin e ASH-së