Aleanca për Shqiptarët – Dega në Gostivar ka akuzuar publikisht drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të qytetit, Emri Bajramin, për keqpërdorim të funksionit dhe politizim të institucionit.
Sipas ASh-së, drejtori ka organizuar një mbledhje joformale me shefat e reparteve dhe motrat kryesore në restorantin e spitalit, ku më pas është shfaqur edhe kandidati i VLEN-it për kryetar të Gostivarit.
“Ky veprim përbën shembull klasik të politizimit të skajshëm të institucioneve dhe ka shkaktuar revoltë të arsyeshme te personeli i spitalit, të cilët janë detyruar të dëgjojnë ‘përrallat’ e kandidatit në garë,” thuhet në reagimin e Degës së ASH-së në Gostivar.
Partia kërkon reagim urgjent nga institucionet kompetente.
“Kërkojmë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, OSBE, KSHZ, si dhe nga Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu – i cili e ka emëruar këtë drejtor – që të ndërmarrin procedurat e nevojshme ligjore dhe të shqiptojnë sanksionet për këtë abuzim flagrant,” theksohet në komunikatë.
ASH-Gostivar nënvizon se praktikat e tilla nuk do ta frikësojnë kuadrin shqiptar.
“Forma të tilla presioni dhe instrumentalizimi politik nuk e frikësojnë kuadrin shqiptar. Përkundrazi, ato vetëm sa e shtojnë revoltën qytetare dhe e forcojnë bindjen për mobilizim masiv në zgjedhjet e tetorit,” deklaron partia.
Në fund, ASH e cilëson pushtetin aktual si të kapur dhe të bazuar mbi shantazhe e interesa të ngushta.
“Pushteti i kapur, i ndërtuar mbi shantazhe dhe interesa të ngushta, nuk mund të ketë legjitimitet tek shqiptarët. Aleanca për Shqiptarët është e bindur se verdikti i qytetarëve në tetor do të jetë i qartë dhe ndëshkues për këtë mënyrë qeverisjeje,” përfundon reagimi i Degës së ASH-së në Gostivar.