Connect with us

Lajme

ASH: Garantues i oligarkëve, jo ndëshkues i tyre – Mexhiti s’mund ta mbyllë bixhozin

Published

on

Pavarësisht retorikës boshe për “luftë kundër bixhozit”, Izet Mexhiti po del të jetë jo armiku, por mbrojtësi më besnik i industrisë së lojërave të fatit në Maqedoninë e Veriut. Në çdo hallkë të kësaj skeme – nga Lotaria Shtetërore te bastoret e njohura, nga pyjet e shkatërruara në Kozhuf, e deri te koncesionet në Çair – del emri i tij.

Aleanca për Shqiptarët sjell para opinionit publik një panoramë të qartë të lidhjeve të rrezikshme të ministrit Mexhiti me industrinë e bixhozit dhe paralajmëron për rrezikun real të krijimit të një monopoli shtetëror të bixhozit, nën kontrollin e strukturave të kapura politike.

Është pikërisht Izet Mexhiti – ai që me zë të lartë premtonte luftë kundër bixhozit – që sot është shndërruar në garantuesin më të heshtur të tij. Në vend që të mbrojë qytetarët, Mexhiti e ka kthyer Lotarinë Shtetërore në një vegël të pastër klienteliste dhe partiake.

Vetëm pak muaj më parë, ai emëroi Ahmet Miftarin si zëvendësdrejtor të Lotarisë Shtetërore, duke e prezantuar si “kuadër të VMRO-DPMNE-së”. Por faktet tregojnë se Miftari është bashkëpunëtor i ngushtë i vetë Mexhitit dhe kuadër i Lëvizjes Demokratike. Për më tepër, përfshirja e familjarëve të tij në Bordin e Lotarisë dëshmon për një kapje flagrante të këtij institucioni në funksion të interesave personale dhe politike.

Një tjetër skandal që thellon lidhjet e Mexhitit me industrinë e bixhozit është rasti në malin Kozhuf, ku kompania e Gjoko Sterjoskit – pronar i rrjetit të kazinove dhe bastoreve “Sportlife” – po shkatërron sipërfaqe të mëdha pyjore, duke dëmtuar rëndë biodiversitetin dhe ekosistemin lokal. E gjithë kjo po ndodh me heshtjen e ministrit të Ekologjisë, Izet Mexhiti. Dhe kjo heshtje nuk është pasivitet – është kompromis.

Mexhiti nuk është i ri në këtë lojë. Biznesmeni kontravers Rafet Muminoviç, një figurë qendrore e industrisë së bixhozit në vend, është parë shpesh publikisht pranë Mexhitit. Kujtojmë se gjatë mandatit të tij si kryetar i Komunës së Çairit, Muminoviç përfitoi koncesione për kazino, bastore dhe pika kredish të shpejta në hapësira publike, përfshirë edhe stadiumin e Çairit. Ky nuk është rastësi – është bashkëpunim i strukturuar.

Në vend të reformave të thella dhe të sinqerta, qeveria FLEN – ku Mexhiti ka rol kyç – po ndërton një sistem që favorizon krijimin e një monopoli shtetëror të bixhozit. Projektligji i hartuar nga VMRO-DPMNE dhe i përqafuar pa kushte nga partnerët shqiptarë, e përqendron vendimmarrjen për licencat vetëm në duart e Qeverisë, duke përjashtuar çdo mekanizëm real të kontrollit publik, konkurrencës së ndershme apo transparencës institucionale.

Një shqetësim i madh është edhe përmbajtja e nenit 24 të këtij projektligji, i cili dëshmon qartë se nuk ka asnjë vullnet për mbylljen e lojërave të fatit pranë shkollave. Ky nen parasheh:
• Kazinot dhe klubet e automatëve të funksionojnë në hapësira të veçanta (paragrafi 1);
• Distanca 500 metra nga shkollat vlen vetëm për kazinot dhe lojërat elektronike (paragrafi 2);
• Bastoret janë përjashtuar nga ky kusht dhe mund të operojnë pranë shkollave (paragrafi 3);
• Në bastoret afër shkollave ndalohen vetëm pajisjet elektronike, jo vetë aktiviteti i bastit (paragrafi 4);
• Distanca matet nga kompani private, duke hapur rrugë për manipulime (paragrafi 5);
• Vendimmarrja për distancën i lihet Agjencisë për Kadastër, jo institucioneve arsimore apo komunave (paragrafi 6).

Ky është një ligj që nuk synon mbylljen, por riorganizimin dhe zgjatjen e jetës së industrisë së bixhozit në një formë të rregulluar dhe të mbikëqyrur nga strukturat që sot janë të kapura. – thekson Aleanca për Shqiptarët.

Për këtë arsye, ASH kërkon mbyllje reale, të pakushtëzuar dhe të menjëhershme të të gjitha formave të bixhozit në afërsi të institucioneve arsimore dhe zonave të banuara, pa asnjë përjashtim dhe pa asnjë hapësirë për interpretim klientelist.

Lufta kundër bixhozit nuk bëhet me statuse në Facebook dhe me deklarata boshe. Bëhet me ligje të qarta, kontrolle të rrepta dhe vullnet politik të sinqertë – jo me ministra që shërbejnë si paravan i interesave të industrisë së bixhozit.

Në vend të transparencës dhe reformës, kemi klientelizëm dhe heshtje të blerë. Në vend të mbrojtjes së interesit publik, kemi riciklimin e po të njëjtave figura që prej vitesh bashkëpunojnë me oligarkë dhe e shkatërrojnë çdo nocion të shtetit ligjor.

Aleanca për Shqiptarët

Continue Reading

Lajme

Helmohet kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu

Published

on

By

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka pësuar helmim nga ushqimi, njoftoi sot zyra e tij.

“Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po shërohet nga një helmim nga ushqimi dhe do të vazhdojë të kryejë detyrat e tij nga shtëpia për tre ditët e ardhshme”, thuhet në deklaratë.

Netanyahu, 75 vjeç, u ndje keq gjatë natës për shkak të inflamacionit të zorrëve dhe dehidratimit, për të cilat po merr trajtim intravenoz.

“Duke ndjekur udhëzimet e mjekëve të tij, kryeministri do të pushojë në shtëpi për tre ditët e ardhshme dhe do të menaxhojë punët shtetërore që andej”, shtoi zyra e tij./Top Channel

Continue Reading

Lajme

Osmani: Rënie drastike e punësimit të shqiptarëve, propaganda nuk mbulon realitetin

Published

on

By

Deklaratat e fundit nga pushteti aktual se “këtë vit janë punësuar më shumë shqiptarë se në vitet më të mira të qeverisjes së BDI-së” janë cilësuar nga zyrtarët e kësaj partie si “gënjeshtra e vitit”.

Në një reagim të drejtpërdrejtë, ish-ministri i jashtëm dhe zyrtari i lartë i BDI-së, Bujar Osmani, thekson se të dhënat zyrtare tregojnë të kundërtën: një rënie të madhe të përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, me një ulje prej afërsisht 2%, që përkthehet në 4.000–5.000 shqiptarë më pak në administratën publike në raport me komunitetin shumicë.

“Për krahasim, gjatë qeverisjes sonë përfaqësimi i shqiptarëve rritej çdo vit me 1.500–2.000 të punësuar të rinj, në mënyrë sistematike dhe të qëndrueshme në të gjitha nivelet e administratës”, thekson Osmani.

Sipas tij, aktualisht nuk ka përfshirje, por përjashtim; nuk ka përparim, por propagandë, dhe kjo ndjehet çdo ditë nga qytetarët shqiptarë në raportin e tyre me institucionet shtetërore.

“Statistikat nuk gënjejnë”, përmbyll reagimin e tij Osmani, duke hedhur poshtë triumfalizmin e qeverisë aktuale për përfshirjen e shqiptarëve në sektorin publik.(INA)

Continue Reading

Lajme

Vauçerët për studentët, Forumi për Ndryshime në Arsim e quan masë populiste

Published

on

By

Forumi për Ndryshime në Arsim e vlerëson si politikë të gabuar ndarjen e vauçerëve në shumë prej 250 euro për studentët deri në moshën 29 vjet. Sipas Blendi Hodait kjo masë e Qeverisë ngjason në një politikë populiste sepse proceduraat për zbatimin e saj nisin në periudhën e fushatës së zgjedhjeve lokale që në këtë rast përshtatet edhe me periudhën e fillimit të vitit të ri akademik.

“Është një politikë shkurt pamës sepse me 250 euro, laptopët që mund të blehen apo mjetet tjera elektronike janë me performansa shumë të dobët. Pra, nuk mund ti kënaq nevojat e një studenti që studion në çfardo fakulteti në Maqedoninë e Veriut sepse performansat me atë çmim të caktuar janë shumë të dobëta”, tha Blendi Hodai, Forumi për Ndryshime në Arsim.

Gjithashtu, Hodai vlerëson se kjo masë është një mënyrë jo efikase e shpenzimit të mjeteve të parave të qytetarëve. Hodai kujtoi se paraprakisht duhet investuar në rikonstruimin e objekteve të fakulteteve, krijimin e laboratorëve dhe subvensionimin e transportit për të gjithë studentët.

“Mund të jenë konviktet studentore që janë në gjendje të tmerrshme, laboratorët që mund të kontribuonin në rritjen e kërkimeve shkencore sepse kemi laborator inekzistente në fakultete. Apo në pjesën tjetër, në subvencionimin e transportit që studiojnë në universitete që janë larg qytetit ku ata jetojnë. Në vend se të investohet në këto tre fusha që mund të jenë investime shumë më afatgjate investohe në diçka që është shumë afat shkurte si vauçer prej 250 euro. Si Forum për Ndryshime në Arsim e konsiderojmë se është keq investim I paras publike”, tha Blendi Hodai, Forumi për Ndryshime në Arsim.

Për këtë masë Qeverisa parashikon të shpenzoj 850 milionë denarë, 215 milionë denarë nga buxheti i vitit 2025 dhe 635 milionë denarë nga buxheti i vitit 2026. Vauçerët prej 250 eurove për pajisjet elektronike për studentët fillimmisht u paralajmëruan në tetor të vitit 2024 nga kryeministri Hristijan Mickoski, por deri më sot nuk gjeti zbatim./Alsat.mk

Continue Reading

TOP Lajme