Aleanca për Shqiptarët, krahu i Taravarit, shpreh shqetësim serioz lidhur me draft-ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili po zbulohet pjesërisht në media, pa një proces transparent dhe pa konsultim gjithëpërfshirës me faktorët relevantë.
“Bazuar në përmbajtjen e publikuar nga televizioni “Alsat-M”, konstatojmë së paku dy mangësi të rënda që rrezikojnë ta deformojnë qëllimin thelbësor të këtij ligji, siç është deklarimi vullnetar i përkatësisë etnike – një formulim që mund të hapë rrugë për keqpërdorime të mëdha dhe manipulime të përfaqësimit. E kemi parë tashmë në të kaluarën sesi ky mekanizëm është shfrytëzuar në mënyrë të dëmshme, duke cenuar realisht përfaqësimin e drejtë të komuniteteve. Për këtë arsye, përfaqësimi nuk mund të bazohet në supozime apo interpretime, por në të dhëna të verifikueshme dhe mekanizma të qartë ligjorë.
Po ashtu, ndodh edhe zhvlerësimi institucional përmes vonesës së akteve nënligjore. Draft-ligji parashikon që aktet nënligjore të miratohen vetëm brenda gjashtë muajve pas hyrjes në fuqi të tij. Kjo krijon një zbrazëti të rrezikshme juridike dhe funksionale, duke i lënë institucionet pa udhëzime të qarta për zbatim, pikërisht në një kohë kur rekrutimet në administratë janë bërë armë e keqpërdorimeve politike dhe etnike.
Në rrethana kur qeveria aktuale po ndjek një linjë punësimesh selektive me karakter diskriminues ndaj shqiptarëve – duke i përdorur kontratat afatshkurtra si karrem elektoral dhe më pas i hedhur poshtë – këto zbrazëti dhe vonesa janë jo vetëm të papranueshme, por edhe të dëmshme për kohezionin ndëretnik dhe për besimin në institucionet publike”, thonë nga ASH.
ASH kërkon rishqyrtim të menjëhershëm të draft-ligjit, në funksion të përmirësimit të tij thelbëso, përfshirje të ekspertëve të pavarur, shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të komuniteteve në procesin e riformulimit, dërgimin e ligjit në Komisionin e Venecias vetëm pas një dakordësie të brendshme politike dhe institucionale, si dhe ndërprerjen e çdo taktike që favorizon punësime të njëanshme dhe partiake në dëm të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera jo-shumicë.
“Njëherazi, u bëjmë thirrje publike përfaqësuesve të VLEN-it që të tregojnë përgjegjësi dhe vetëdije politike, duke mos pranuar pa rezerva çdo dokument të diktuar nga partnerët qeverisës – përfshirë kryeministrin Mickoski dhe eksponentë të linjës retrograde si Stojance Angelov, Maksim Dimitrievski dhe Ivan Stoilkovic”, thonë nga ASH.