Smart News

ASH: 2.500 punësime në letër, poste reale vetëm për të afërmit e qeveritarëve të FLEN

Aleanca për Shqiptarët denoncon ashpër hipokrizinë e përfaqësuesve të koalicionit, siç e quajn ata, FLEN, VLEN të cilët çdo ditë e më shumë tregojnë tendencë për të mashtruar opinionin publik, duke justifikuar dështimet e njëpasnjëshme dhe duke mbrojtur interesat personale dhe familjare në kurriz të shqiptarëve.

“Pak javë para zgjedhjeve lokale – datë kjo që për ironi të fatit u shpall nga kryetari i Kuvendit Afrim Gashi – Zeqirja Ibrahimi, një nga zërat më të zhurmshëm të FLEN-it në rrjetet sociale, vazhdon të premtojë punësimin e mbi 2.500 shqiptarëve në institucionet shtetërore. Ky është një premtim jo vetëm i pabazë, por edhe juridikisht i pamundur, pasi Ligji për Zgjedhje ndalon qartë punësimet gjatë periudhave parazgjedhore,” thekson Aleanca për Shqiptarët.

Sipas Aleancës, ndërkohë që FLEN shpalos iluzione në publik, në terren po ndodhin punësime të përzgjedhura për familjarët e ministrave dhe zëvendësministrave, si:

Kushëri i zëvendëskryeministrit Arben Fetai
Vëllai i zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni
Bashkëshorti i zëvendësministres së Sportit, Safije Sadiku Shaini
Vëllai i ministrit Orhan Ibrahimi
Vajza e Latif Arifit
Dhëndri i ministrit Azir Aliu
“Ky është realiteti i FLEN: për militantin e ndershëm nuk ka as kontratë, e jo më vend të përhershëm, ndërsa për familjarët e funksionarëve, shpërblimi është me rroga të majme dhe pozita kyçe,” thekson Aleanca për Shqiptarët.

Aleanca i cilëson këto veprime si nepotizëm të pastër, i cili është shpërblim për besnikërinë politike ndaj VMRO-DPMNE-së, duke shtuar se FLEN nuk përfaqëson shqiptarët, por është vetëm instrument i partisë që historikisht ka luftuar të drejtat dhe barazinë e tyre.

“Në vend të transparencës, FLEN ofron kamuflime. Në vend të llogaridhënies, mashtrime. Në vend të përfaqësimit të denjë, puthadorë të VMRO-së,” thekson Aleanca për Shqiptarët.

Sipas tyre, sondazhet e fundit e kanë bërë të qartë vendin e FLEN-it, ndërsa tetori do të jetë jo vetëm dita e ndëshkimit, por edhe demaskimi i kësaj garniture të paaftë dhe të korruptuar.

“Aleanca për Shqiptarët është dhe do të mbetet në krah të qytetarëve, jo të interesave familjare dhe politike të individëve të zhytur në pazare,” përfundon Aleanca. Flaka

Exit mobile version